
Kryeministri Edi Rama, në rrjetin social “Facebook” ka publikuar një video nëpërmjet të së cilës kujton Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe hapjen e aeroportit “Zayed, Flatrat e Dijes” në Kukës.
Në pamje shihen largimet masive të qytetarëve në Kosovë për shkak të luftës, të cilat janë vendosur edhe me fotografi brenda ambienteve të aeroportit duke pasqyruar historinë e spastrimit etnik.
Video nis bardh e zi, e shfaqen sinkrone të kohës së luftës në Kosovë, ku pikërisht Kukësi, u bë porta e parë hyrëse për vëllezërit e motrat kosovare.
Rama më pas, nis të flasë e të thotë se Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, por sipas tij, dora e mbrapshtë e robit se ka lënë të ngrihet.
Ai bën thirrjen, se tanimë, duhet që Shqipëria të ecë përpara, e nuk duhet të lejohet që “t’i ulet koka përsëri”.
“Këtu në Kukës është veriu i Shqipërisë, por nga Kukësi dhe matanë prej andej nga erdhën vëllezërit dhe motrat tanë është veriu i shqiptarisë. Dhe në këtë veri të Shqiptarisë, u shkruajt një nga historitë më tragjike, por me fundin më të lumtur. Historia e spastrimit etnik, por edhe historia e luftës Çlirimtare të Kosovës. Zoti e ka bërë Shqipërinë për telha.
Duket sikur e ka bërë ditën e diel, ku ka qenë pushim, e ka marrë me nge, e ka qëndisur në të gjithë trupin e saj. Ka qenë robi, dora e mbrapshtë e robit që s’e ka lënë Shqipërinë të ngre kokë, apo që ka bërë disa herë që Shqipëria ka ngritur kokë ia ka ulur përsëri. E tani që Shqipëria po ngre kokë s’duhet të lejojmë që të ulet koka përsëri, por duhet të bëjmë që koka e Shqipërisë të ngrihet më lart, e më lart, e më lartë”, u shpreh Rama.



