
Seanca e parashikuar e 18 janarit për shqyrtimin e shkarkimit të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta nga Gjykata Kushtetuese është shtyrë për në datën 1 shkurt.
Sipas njoftimit, shkak është bërë infektimi me COVID-19 i relatorit të çështjes. Seanca e radhës do të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm në orën 10:00.
“Çështja me kërkues Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe objekt: “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”, e planifikuar për t’u zhvilluar në seancën plenare publike të datës 18.01.2022, ora 10:00, bazuar në nenin 44/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000
“Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, është shtyrë për në datën 01.02.2022, ora 10:00, për arsye se relatori i çështjes ka rezultuar pozitiv me COVID-19”, thuhet në njoftim.
Kuvendi i Shqipërisë, Legjislatura e vjetër – IX-të , më 9 qershor, ka shkarkuar zyrtarisht Metën, nga detyra e tij, pas katër vjetësh si kreu i shtetit.
Me vota 104 pro, 7 kundër dhe 3 abstenim, Kuvendi e miratoi kërkesën e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës.
Ky shkarkim i presidentit ishte i paralajmëruar, pas vendimit të mazhorancës për të ngritur një komision të posaçëm hetimor për shkarkimin e Metës.
Raporti i komisionit u miratua gjithashtu me 104 vota pro, duke i hapur rrugë votimit për pozitën e presidentit.



