Kryeministri Edi Rama deklaroi se reforma në drejtësi përbën ndërhyrjen më të thellë të bërë ndonjëherë në sistemin shqiptar, duke theksuar se qeveria e drejtuar prej tij vendosi të “dorëzojë shpatën e drejtësisë”, e cila sipas tij historikisht ishte mbajtur nga pushteti politik.
Në fjalën e mbajtur në Kongresin Botëror të Ligjit, Rama tha se mbështetja masive e qytetarëve për vettingun tregoi nevojën për një transformim rrënjësor të sistemit të drejtësisë.
90% e shqiptarëve mbështesnin vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të bësh bashkë 90% të shqiptarëve është diçka jashtëzakonisht e rrallë.
Kreu i qeverisë theksoi se, megjithëse qytetarët mbështesnin reformën, shumica e tyre nuk besonin se do të shihnin fundin e pandëshkueshmërisë.
Mbi 80% ishin mosbesues se në Shqipëri do të shikonin fundin e pandëshkueshmërisë dhe barazinë para ligjit. Askush nuk mund t’u vinte faj atyre.
Sipas Ramës, mosbesimi i qytetarëve lidhej me historinë e shtetit shqiptar dhe ndikimin e politikës mbi drejtësinë ndër vite.
Pavarësisht kalimeve të sistemeve, një gjë kishte mbetur e pandryshuar: shpata e zonjës së drejtësisë ishte e palëvizur në zyrën e të parit të qeverisë.
Duke iu referuar reformës së nisur në vitin 2013, Rama nënvizoi se mazhoranca ndërmori një hap që, sipas tij, askush më parë nuk kishte guxuar ta bënte.
Në 2013 ne bëmë atë që askush nuk kishte guxuar ta bënte më parë: të dorëzonim shpatën te një forcë tjetër dhe të krijonim kushtet për një pushtet real dhe të pavarur nga pushteti politik.
Në fjalën e tij, Rama solli edhe një referencë nga një autor turk për të shpjeguar rëndësinë e sundimit të ligjit.
Në njërën anë të kufirit sundon ligji që garantohet nga institucionet, ndërsa në anën tjetër sundon forca dhe ekuilibrat garantohen nga forcat mbi ligjin.
Kryeministri theksoi se reforma në drejtësi ka nisur të japë rezultate konkrete, por paralajmëroi se ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme kërkon kohë dhe mbështetje të vazhdueshme politike.
“Ndërtimi i institucioneve të garantuara nga reforma nuk është një proces që mund të përmbushet as në një dekadë e as në dy dekada”, deklaroi Rama, duke shtuar se procesi duhet të mbështetet “në mënyrë të palëkundur” nga të gjitha forcat politike.



