
Pak ditë pasi për Shqipërinë u vendos që të shtyhej data për hapjen e negociatave më Bashkimin e Evropian, ka ardhur një reagim nga ambasada e Holandës në vendin tonë.
Ambasada e Holandës në Tiranë ka përgëzuar Shqipërinë për rezultatet e arritura, por sipas saj duhen rezultate konkrete.
Tashmë, thotë në reagimin e saj ambasada, ka një udhërrëfyes të qartë deri në qershor 2019. Po ashtu, ambasada vë theksin te reforma në drejtësi, duke nënvizuar se ajo duhet të ecë përpara.
"Deshirojmë të përgëzojmë Shqipërinë për progresin dhe reformat e rëndësishme të arritura, të cilat janë njohur nga Këshilli Europian. Tashmë ka një udhërrëfyes të qartë për vijimin e rrugëtimit deri në qershor 2019. Ka ardhur koha për të arritur rezultate konkrete në të gjitha nivelet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për të ecur përpara në reformën në drejtësi. Holanda i qëndron qasjes së saj strikte dhe të drejtë dhe është e gatshme të bashkëpunojë edhe më tej me Shqipërinë në lidhje me këto reforma kyçe në periudhën që vijon", thuhet në reagimin e ambasadës së Holandës në Tiranë.




