Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot, gjatë një takimi me drejtuesit e strukturave të Tiranës se PL do të vijojë me protestat.
Meta u shpreh se na ndajnë vetëm pak muaj deri në rikthimin e bashkive në duart e qytetarëve.
Ai e vendosi theksin te problemet kryesore të kryeqytetit teksa akuzoi qeverinë e cila sipas tij vetëm problemet e qytetarëve nuk ka në axhendë.
Vetëm pak muaj na ndajnë nga rikthimi i bashkive në duart e qytetarëve. Aq gjoba që vendos Policia Bashkiake këtu në mënyrë arbitrare, as policia rrugore nuk arrin dot. Tirana është qyteti me ndotjen akustike më të madhe në kontinent e në botë.
Vetëm problemet e qytetarëve nuk janë në axhendën e tyre, nuk duan t’ja dijnë për problemet e mëdha sociale. Paratë e qytetarëve të Tiranës shkojnë tek inceneratori që nuk ekziston. Ky është modeli i tyre, mashtrim dhe vjedhje, vjedhje dhe mashtrim.
Meta komunikoi edhe drejtuesit kryesorë për 11 njësitë në Tiranë, që sipas tij kanë për detyrë të bëjnë skaner dhe të ketë një organizim më të mirë për të arritur qëllimin e PL-së.
Ai tha se është koha per veprim dhe organizim, ndërsa bëri të ditur se personalisht do të përgjigjet për njësinë 5, ndërsa në njësinë 1 dhe njësinë 11 i deleguar do të jetë Endrit Braimllari.
Ndaj është koha për veprim, pasi gjithçka është e qartë, në mënyrë që t’i japim fund një orë e më parë kësaj qeverisje të pashpirt. Besoj te të gjithë ju dhe PL do shkëlqejë në këtë betejë për triumfin e qytetarisë mbi tiraninë.
Na duhet një organizim më i mirë se tani, për të 11 njësitë, dua tu komunikoj disa nga drejtuesit kryesorë që bashkë me strukturat ekzistuese do nisin punën që nesër në çdo njësi. Kanë për detyrë të bëjnë skaner të gjitha njësive.
Në njësinë 2 Erisa Xhixho, në njësinë 3 Brisida Shehaj, në njësinë 4 Elona Guri, në njësinë 6 Floida Kërpaçi, në njësinë 7 Monika Kryemadhi, në njësinë 8 Klevi Pojana, në njësinë 9 Tedi Blushi dhe në njësinë 10 Kejdi Mehmetaj.
Meta komentoi edhe aktin normativ të qeverisë për ndërtimet pa leje.
Paskan shpërthyer ndërtime pa leje në Tiranë, te të gjitha kullat ku pi kafe Rama, dhe nuk paska pasur dijeni se çka ndodhur në këto 10 vite në Tiranë. Ky është operacion i pastër vënie gjobash, vjedhje parash për zgjedhje. Do të bëjë të mirin para popullit të Tiranës që e ka shkatërruar përmes shkatërrimit të qytetit.



