
Presidenti Ilir Meta kërkon nga qeveria që të marrë parasysh kërkesat e Ligës Profesioniste të Futbollit e cila ka bojkotuar kampionatin. Sipas Metës katër kërkesat financiare janë të drejta dhe për këtë arsye duhet gjetur një zgjidhje, në një kohë kur futbolli sipas tij është krenaria jonë kombëtare.
“Futbolli shqiptar, krenaria jonë kombëtare, prej javësh ndodhet në një ngërç, për shkak të vendimit për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, sezoni 2020 / 2021, që duket se do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar në mungesë të vullnetit për gjetjen e një zgjidhjeje të mënjëhershme. I njohur me kërkesat e drejta të Ligës Profesioniste të Futbollit, i bëj thirrje qeverisë që përmes dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të angazhohet për t'i rikthyer frymëmarrjen futbollit shqiptar, që ka kohë që ndodhet në vështirësi dhe sot kërkon vëmendje e mbështetje nëpërmjet një baze të sigurt ligjore", shkruan Meta.
4 kushtet që Liga Profesioniste i ka vendosur qeverisë për të ndërprerë bojkotin dhe për të vazhduar kampionatin.
1- Miratimin e një ligji të ri për sponsorizimet sipas formës së kërkuar nga klubet e futbollit.
2-Përfshirjen e të gjitha aktiviteteve të futbollit në formën e TVSH-së së reduktuar në masën 6% dhe jo vetëm të infrastrukturës futbollistike.
3-Zerimin e gjobave dhe të kamatë-vonesave për të gjitha detyrimet fiskale të prapambetura dhe
4-Zgjatjen e efekteve të përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat të sportistëve nga 2 në 10 vjet.



