
Gjatë një takimi elektoral në Gjirokastër, kryeministri Edi Rama, u ndal sërish tek situata e krijuar dje në Rinas, ku kontrollorët e trafikut ajror pezulluan punën.
Sipas kreut të qeverisë, kontrollorët dëshironin të përfitonin nga situata, pasi e dinin që do nevojiteshin disa javë kohë që të bëhej zëvendësimi i tyre. Po ashtu, ai pretendon se kontrollorët po tentonin të ndalonin procesin e vaksinimit.
“E patë çfarë ndodhi dje, një goditje e çmendur ndaj një prej aktiviteteve jetësore të vendit, që është qarkullimi ajror. Ata kontrollorët nuk janë punonjës që mund të zëvendësohen sa hap e mbyll sytë dhe llogaritë ishin bërë në mënyrë djallëzore. Duhen disa javë t’i zëvendësonim. Dhe aq duhen për të sjellë rrumpallën. Por i kishin bërë llogaritë gabim. Ne ishim duke u përgatitur për të përballuar atë goditje. Ne humbëm një ditë, por sot vaksinat erdhën. Kaluam gjithë natën duke luftuar që vaksinat të mos iknin në një drejtim tjetër. Sepse nuk e beson njeri. Kacafytja për të marrë vaksinat është botërore. I porosita por mbaji aty. Ç’është kjo? I merr dikush tjetër. Si t’ua them që Presidenti dhe disa leshko u bënë bashkë për t’i bllokuar.”
Kryeministri shtoi se ka luftuar gjithë natën që të mos iknin vaksinat në një tjetër vend, pasi Covid-19 ka bërë që vendet të kacafyten dhe është luftë për mbijetesë.
Rama u ka bërë thirrje qytetarëve të Gjirokastrës që të mos lejojnë që të kthehen mbrapa dhe që votën ja japin më 25 prill për Partinë Socialiste. Rama tha se duhet të rilindë vendi dhe se nuk mund të lejojë që të kthehen më pas.



