
Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka zhvilluar një takim me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
Përmes një statusi në ‘Facebook’, ai bën me dije se diskutuan për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri për të mundësuar çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Më tej, Cakaj thekson se biseduan edhe për një varg veprimesh të përbashkëta në funksion të riparimit e rindërtimit të hapësirave të dëmtuara nga tërmeti.
Cakaj shpreh mirënjohjen e veçantë për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë që prej orëve të para të pas tërmetit e deri tani.
Statusi i plotë:
“Gjatë qëndrimit në Bruksel zhvillova edhe një bisedë me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.
Biseduam për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri - me theks të veçantë në përmbushjen e objektivave të përcaktuara nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme në qershor 2018 - për të mundësuar çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE pas miratimit të metodologjisë së re të negociimit.
Po ashtu, diskutuam për një varg veprimesh të përbashkëta në funksion të riparimit e rindërtimit të hapësirave të dëmtuara nga tërmeti.
Një mirënjohje e veçantë për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë që prej orëve të para të pas termetit e deri tani që po vazhdon me përkushtim të fortë dhe rezultate konkrete”



