
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi po merr pjesë në Samitin e Kryetarëve të Parlamenteve të Evropës Qendrore e Lindore në Varshavë, si edhe në kremtimin e 550 vjetorit të parlamentarizmit në Poloni.
Në fjalën e tij të mbajtur në Samit, Ruçi vuri në dukje se Evropa Qendrore dhe Lindore përbën një ndër zonat ekonomike e politike më të rëndësishme të globit.
"Gjatë tri dekadave të fundit, krahas valëve të demokratizimit, vendet tona janë përfshirë njëkohësisht në proceset e modernizimit, perëndimizimit dhe evropianizimit. Prandaj bashkëpunimet tona dypalëshe dhe rajonale duhet të kenë si yll polar Bashkimin Evropian, si një bashkim vlerash, aspiratash, vizionesh dhe qytetarësh evropianë", tha Ruçi.
Ruçi falenderoi parlamentet Europiane për mbështetjen që u dhanë qeverive të tyre për qëndrim pro hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm ishte një temë qëndrore e Samitit.
Kuvendi i Shqipërisë po punon për inkorporimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në hartimin e ligjeve, buxhetit, funksionet e mbikëqyrjes e përfaqësimit, si edhe dokumentat strategjikë, programet e masat e qeverisë.
Gjatë dy viteve të fundit, tha ai, Kuvendi i Shqipërisë ka udhëhequr zbatimin e reformës në drejtësi, unike në rajon, e cila synon të reformojë sistemin gjyqësor, të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë e gjithë sistemit të drejtësisë. Rezultatet e kësaj reforme janë të prekshme dhe mbresëlënëse.



