Kreu i PD-së, Lulzim Basha, gjatë një takimi me strukturat e partisë në Librazhd dhe Përrenjas, tha se opozita do të bëjë çdo përpjekje për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha akuzoi qeverinë se nuk ka mbajtur asnjë premtim.
“Gjithçka që po ndodh, krimi, droga, tenderat që vidhen, gjithçka është në funksion të kapjes së zgjedhjeve të ardhshme. Ne duhet të garantojmë proces të lirë zgjedhor. A ka proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor me Edi Ramën kryeministër? A mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme me Edi Ramën Kryeministër, me Saimir Tahirin ministër të Brendshëm? Me dy persona që e kanë lidhur ekzistencën e tyre politike me krimin dhe drogën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse ata e kanë lidhur veten e tyre me krimin dhe drogën pikërisht për të prishur zgjedhjet, pikërisht sepse kanë frikë nga vota e qytetarëve”, tha ai.
Kreu i demokratëve akuzoi kryeministrin se nuk po lufton drogën për t’i përdorur të ardhurat e saj për blerjen e votës.
“Që prej ditës së parë që është ulur në atë karrige mirënjohjen s’e ka me qytetarët, e ka me kriminelët që e bënë Kryeministër dhe i bëri deputetë, që e mbështesin dhe i bëri kryetarë bashkish, drejtor të mëdhenj. Ai ju ndihet borxhli atyre dhe paktin e ka të lidhur me ta. Paratë e tenderave i ndan me ta, drogën që ka mbuluar Përrenjasin dhe gjithë Shqipërinë e ka me ta. Droga është produkt i kriminalizimit të administratës dhe të dyja bashkë janë pjesë e planit të Edi Ramës për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin”, tha Basha.



