
Gazetari Arian Çani tha sot nga studio e lajmeve të MCN TV se zgjedhjet në Partinë Demokratike do të nxjerrin fitues sërish kryetarin aktual Lulzim Basha dhe kjo sipas tij do të ndodhë për shkak se ai ka mbështetjen e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Gjatë intervistës Çani po ashtu tha se largimet nga PD mund të jenë fillimet e një eksodi dhe siç u shpreh ai nuk përjashtohet as fakti që kjo parti të ketë të njëjtin fat me ato të shumë partive të mëdha në Europë që sot janë zhdukur.
“Basha do rikandidojë dhe do fitojë sepse ka mbështetjen e Berishës dhe gjithë strukturave. Basha nuk e imagjinon dot sa ikje do ketë nga PD. Një parti që mbetet në opozitë kaq gjatë në vend të ketë ikje, duhet të ketë hyrje. Tani janë fillimet e një eksodi të madh. Mund të ndodhë që si shumë parti të tjera të mëdha në botë që janë zhdukur. Ka gjithandej parti të tilla. Këtë fat mund të ketë edhe PD, por do varet nga lojtarët në fushë”, tha Çani.



