
Ish-deputetja e PD, Mimoza Hajdarmataj prezantoi sot kandidaturën në Primare për Bashkinë e Tropojës.
Në një deklaratë për mediet, Hajdarmataj tha se ky është një moment vendimesh, për të marrë përsipër përgjegjësi ndërsa shprehu angazhimin për një proces të rregullt, të ndershëm dhe korrekt.
Gjykoj që nisur nga vetja fillon ndryshimi, gardhi i shtëpisë, lagja ku je rritur, shkolla e parë ku je edukuar. Të gjitha këto më çojnë mua në Tropojë / ose Malësi të Gjakovës, siç na e ka ne anda t’i thërrasim.
Sot, shpall kandidaturën për primaret e Partisë Demokratike në Tropojë, duke besuar se me mbështetjen e patriotëve të mi, pas këtij procesi demokratik, do jem pikërisht unë që, nëpërmjet një fushate-model do të rikthej Bashkinë në krye të punëve, halleve e derteve për çdo tropojane e tropojan.
Ish-deputetja u shpreh se “në Tropojë nuk ekziston më asnjë lloj shërbimi ndaj qytetarit. Arsimi, drejtoritë rajonale, deri te AKU, çdo gjë ose në Shkodër, ose në Lezhë. Qeverisja e keqe i ka bërë tropojanët të marrin rrugët e emigrimit, duke lënë bosh një zonë që e ka bekuar Perëndia.Për këto dhe shumë arsye të tjera, do të jem pjesë e garës me shpresën se demokratët e Tropojës do të më besojnë mua fatin e qytetit, për t’i rikthyer atij dhe banorëve të tij gjithçka meritojnë”.
Ajo tha se vendimmarrja është e anëtarëve dhe simpatizantëve, dhe ftoi të gjithë demokratët e Tropojës t’i bashkohen projektit të saj për t’i rikthyer vendlindjes atë çka meriton.



