
Deputet e opozitës sot në Parlamentin e Kosovës kanë diskutuar me tensione me ministren e Jashtme Donika Gërvallën, e cila gjatë fjalimit të saj në Kuvend i akuzoi deputetët e PDK-së se vetë e kanë krijuar Gjykatën Speciale dhe i kanë dërguar në Hagë ish-bashkëluftëtarët, si dhe janë përgjegjës për korrupsionin në vend.
Abelard Tahiri, deputet i PDK-së e ka akuzuzar e fyer rëndë ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën.
Në replikën e tij, Tahiri e quajti “përfaqësuese të Serbisë në Kosovë” Gërvallën.
“Ju jeni përfaqësuese e Serbisë në Kosovë. Sot na e dëshmove që Republika e Serbisë nuk ka nevojë me u marrë me neve se të ka ty. Ajo gjykatë është bërë prej njerëzve sikur ju. Sot nuk ka nevojë me dal Daçiqi se është Donika Shwarz, se emrin tjetër po me vjen marrë me ta përmend. Ti sot më shumë ngjason me ambasadorin e Serbisë se sa si ministre e Punëve të Jashtme. Dil kërkoju falje viktimave, grave të dhunuara për atq që e the . Kjo është turp, është marre për ty. Ti je turpi më i madh. Me pas një kryeministër të përgjegjshëm, sot të të kishte shkarku”, ka thënë Tahiri.
Tensionet e ngritura në sallë kanë ndikuar që të ndërpritet seanca, duke shkuar në pauzë 20-minutëshe.
Pas kësaj në dalje të sallës janë mbledhur deputetë nga opozita dhe pozita, ku deputeti i PDK-së Hajdar Beqa dhe Besim Muzaqi i LVV-së kanë pasur përplasje fizike mes vete, duke krijuar trazira në dalje të sallës.
Ndërkohë brenda në Kuvend është parandaluar një përleshje fizike ndërmjet ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe deputetëve të PDK-së, Ardian Kastrati dhe Memli Krasniqi.
Kastrati e ka quajtur “legen” ministrin Peci. Menjëherë kanë ndërhyre deputetët tjerë që të mos vazhdojë përplasja.
Pas replikave të ashpra pozitë-opozitë, kryesuesja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, dha pushim të seancës.
Më pas situata u tensionua edhe pas fjalimit të Arben Gashit. Udhëheqësja e seancës, Saranda Bogujevci e VV-së, ia ndërpreu fjalën; për çka LDK-ja lëshoi seancën.
Pas pauzës për më shumë se 20 minuta deputetët e VV-së janë kthyer në sallë, krejt kjo pas përleshjes që ndodhi ndërmjet tyre dhe deputetëve të PDK-së.
Kuvendi i Kosovës sërish ka shkuar në pauzë kësaj radhe deri në orën 14:00.



