
Përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook, ka reaguar kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, duke thënë se Gjermania ka mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme interesat e Shqipërisë dhe ka mbështetur aspiratën evropiane të popullit tonë. Lidhur me 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave, Kryemadhi shprehet se ato janë semafor i kuq për Edi Ramën, pasi flasin për kapjen e drejtësisë.
“Nëntë kushtet e vendosura nga Bundestagu për hapjen e negociatave janë një semafor i kuq për Edi Ramën, pasi flasin qartë për kapjen e sistemit të drejtësisë, për krizën kushtetuese dhe institucionale, pandëshkueshmërinë e blerjes së votës dhe intimidimin e votuesve, si dhe paligjshmërinë e procesit të votimeve të 30 qershorit, ku Edi Rama vendosi ta kthejë Shqipërinë në një sistem monopartiak, duke synuar zhdukjen e pluralizmit politik”, shkruan Kryemadhi.
Duke u ndalur te vendimi i Gjermanisë për hapjen e negociatave, Kryemadhi thekson se vullneti i mirë i Gjermanisë për negociatat nuk do të thotë çelje e tyre e menjëhershme.
“Vullneti i mirë i Gjermanisë për negociatat nuk do të thotë çelje e tyre e menjëhershme, por do të thotë shans që shqiptarët të ndërtojnë shtetin e së drejtës dhe Shqipëria të plotësojë minimumin e standardeve demokratike, në mënyrë që të jetë e denjë për të hapur negociatat me BE-në”, u shpreh Kryemadhi.
Ndërkaq, kryetarja e LSI-së e vë theksin te dialogu, i cili sipas saj nuk duhet të jetë dialog për interesa individësh dhe karrigesh të pushtetit, por dialog transparent për qytetarët.



