Xhixho: Qeveria “Rama” nuk e ka pasur kurrë dhe nuk e ka prioritet integrimin

Xhixho: Qeveria “Rama” nuk e ka pasur kurrë dhe nuk e ka prioritet integrimin

Deputetja Erisa Xhixho tha në Kuvend se qeveria “Rama” nuk ka prioritet integrimin e vendit. Sipas saj, prova më e qartë për këtë janë shqetësimet që Komisioni Europian rendit në progres-raportin për Shqipërinë.   

Integrimi i vendit në Bashkimin Europian ka qenë objektivi madhor i punës sonë të përbashkët përgjatë viteve të fundit. Rrugëtimi jo i lehtë për t’iu bashkuar familjes europiane është mbështetur nga pjesa dërrmuese e shqiptarëve përgjatë gjithë kësaj kohe.“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ka qenë dëshira më e madhe e shqiptarëve që në momentet e para të kolapsit të sistemit të vjetër. Sot diskutojmë Progres-raportin e fundit te Komisionit Europian i cili ështe një skaner i vërtetë i punës së qeverisë Rama, që u jep zë shqetësimeve të ngritura rregullisht nga opozita. Më lejoni të ndalem në disa prej pikave të këtij progres-raporti, që në fakt, në kuptim të qeverisjes së vendit, vetëm për progres nuk mund të flasim.

Xhixho tha se nuk mund të flasim për progres, sepse shifrat e të larguarve çdo ditë tregojnë se jemi kthyer sërish në vitet e eksodit të shqiptarëve.

Sipas raportit, numri i shtetasve shqiptarë që paraqesin kërkesa për azil në shtetet anëtare të BE-së është rritur ndjeshëm në verën e vitit 2021.

Shqiptarët po largohen masivisht nga keqqeverisja.

Të rinjtë shqiptarë që hyjnë çdo ditë në Britani në mënyrë të paligjshme, gjithashtu kërkesat për azil, me të cilat ia kalojmë edhe Ukrainës në luftë, shkolla dhe programe studimi që mbyllen cdo fillim viti shkollor, fshatra të tëra vetëm me pensionistë janë treguesi më i qartë se kjo qeveri ua ka vrarë shqiptarëve ëndrrën për ta parë Shqipërinë si gjithë Europa.

Ligjet në kundërshtim me praktikat europiane janë sipas Xhixhos një tjetër faktor pengues në rrugën e integrimit.

Ky Parlament që është kthyer në noter të qeverisë, duke i dhënë dritën jeshile ligjeve të qepura sipas kërkesave të klientëve të saj, ka dështuar në mënyrë spektakolare në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian. Sipas raportit, vetëm 9 ligje të miratuara nga Parlamenti shqiptar janë përafruar me legjislacionin europian. Kjo sepse maxhoranca ka prioritete të tjera! Me forcën e numrave shemb një teatër, jep me koncesion historinë apo miraton ligje speciale për klientët e saj.

Lufta pa rezultat kundër korrupsionit është një tjetër arsye që sipas Xhixhos po pengon integrimin. Kjo sepse vetë qeveria është e përfshirë në korrupsion.

Në progres raport thuhet se korrupsioni në Shqipëri mbetet një fushë që përbën shqetësim serioz. I shtrirë në çdo degë të pushtetit qendror dhe vendor, korrupsioni është marka e kësaj qeverie. Përmes tij gjenerohen miliona që dalin nga xhepat e shqiptarëve të varfër për të përfunduar në llogaritë e zyrtarëve të çdo niveli.

Janë disa sipas Xhixhos nismat që do të pengonin integrimin e Shqipërisë.

Në progres raportin e Komisionit Europian kërkohet që Shqipëria të frenohet nga zhvillimi i një skeme të nënshtetësisë së investitorëve (pasaporta të arta) pasi do të përbënte rreziqe përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis të BE-së. Kjo qeveri nuk e ka problem ta kthejë vendin në lavatriçe të pastrimit të këtyre parave, në dëm të integrimit të vendit, në kurriz të shqiptarëve të ndershëm. Sepse në të vërtetë, as integrimi dhe as shqiptarët nuk i kanë interesuar ndonjëherë. Skema e pasaportave të arta nuk i mjafton kësaj qeverie, ndaj në babëzinë për para, ka vendosur ta sfidojë BE-në me një tjetër ligj.

Sipas progres raportit, miratimi i amnistisë tatimore dhe penale është kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval-it, ndaj mund të rrezikojë përparimin në luftën kundër pastrimit të parave. Ndërkohë që Shqipëria është në zonën gri, raporti ngre shqetësimin e pengesave që do të sillte amnistia tatimore në procesin e integrimit europian të vendit. Edi Rama është gati të heqë dorë nga integrimi i vendit, thjesht për interesat dritëshkurtra të tij dhe atyre që e rrethojnë.

Xhixho e vuri theksin te buxheti për arsimin.

Buxheti për arsimin, një shqetësim që e kam ngritur me forcë përgjatë viteve të fundit, është shqetësim i shprehur edhe në progres raport ku thuhet se alokimi i buxhetit të Shqipërisë për arsimin në vitin 2021 mbetet i ulët.

Sa i përket fondeve të Kërkimit është shumë më poshtë se 1% e PBB-së e synuar deri në vitin 2022. Jemi shumë larg 1%-shit edhe në 2023.Buxheti për arsimin do të vazhdojë të jetë më i ulti në rajon me 2,2% e PPB për 2023, duke qenë shumë larg mesatares së BE dhe premtimit 5% e PPB që do të realizonte Rilindja. Kërkimi shkencor do vazhdojë të jetë 0,04-0,05 % e PPB, çka tregon edhe një herë se rritja cilësore e universiteteve tona nuk është aspak me rëndësi për Qeverinë e Inceneratorëve.

Shkrirja e Ministrisë së Integrimit tregon sipas Xhixhos qasjen reale që kjo qeveri ka në lidhje me këtë proces.

Kjo qeveri nuk e ka pasur kurrë prioritet integrimin dhe këtë e tregon edhe vendimi për të shkrirë Ministrinë e Integrimit, në 2017.

 Kjo qeveri i sheh pasuritë e këtij vendi si mjet përfitimi për vete dhe nuk pyet as çfarë mendojnë shqiptarët, as çfarë mendon Bashkimi Europian, pjesë e të cilit pretendon të bëhet.

Shembulli më i fundit dhe më flagrant për këtë është porti i Durrësit, projekt pa garë dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që në krye të herës, në mungesë totale transparence.

 E gjithë qasja e kësaj qeverie në raport me integrimin nuk është gjë tjetër veçse retorikë hipokrite ndërkohë që ky proces ka domosdoshmëri punën dhe përmbushjen e detyrimeve për të ndërtuar Europën këtu në standarde, llogaridhënie dhe standard të demokracisë e shtetit ligjor.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy