
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda, vizitën e parë jashtë vendit, si po e zhvillon në Policinë e Kosovës, ku është pritur nga homologu Gazmend Hoxha.
Proda dhe Hoxha, diskutuan mbi mënyrat si mund t’i sinkronizojnë më shumë kontrollet dhe veprimet operacionale, me qëllim parandalimin e paligjshmërive dhe garantimin e lëvizjes së sigurtë të shtetasve, mjeteve dhe mallrave.
Ata theksuan se këto qëllime të përbashkëta, madhore, mund të arrihen vetëm nëpërmjet intensifikimit të bashkëpunimit për shkëmbimin e menjëhershëm të informacioneve, me qëllim goditjen e grupeve kriminale të implikuar në trafiqe të paligjshme.
Drejtuesit e dy policive u dakordësuan për eliminimin e burokracive në metodat e veprimit gjatë punës policore, si dhe për shtimin e hetimeve proaktive në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese në të dyja vendet, elemente të cilat do të mundësojnë finalizimin e një sërë operacionesh policore, kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, krimit të organizuar dhe trafiqeve.
Në vijim Proda dhe Hoxha u zotuan për rritje të mëtejshme të bashkëpunimit në të ardhmen dhe për zgjerimin dhe në fusha të reja me interes të përbashkët.



