Shpëtimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka duke mos e dërguar në Gjykatën Kushtetuese me 65 vota abstenim të socialistëve, 9 kundër dhe 25 demokratë pro, analisti Frrok Çupi e sheh si kohë të humbur kot.
Nga studio e MCN Live, ai deklaroi se Gjykata Kushtetuese është një gjykatë që nuk kundërshtohet dhe nëse ka vendosur Gjykata Kushtetuese secili duhet të jetë i qartë që ta respektojë.
Sipas tij, mandati i Olta Xhaçkës, është një histori që po merr kohë, dhe se ajo që ka vendosur Gjykata Kushtetuese do zbatohet me patjetër.
Megjithatë Partia Socialiste e ka justifikuar këtë histori me idenë se duhet ti drejtohemi përpara për konsulencë Komisionit të Venecias.
Këtë gjë filloi ta artikulojë i pari grupi i PS, por e nisi si iniciativë në një kohë të papërshtatshme, kur Gjykata Kushtetuese e kishte marrë vendimin e saj.
Komisioni i Venecias, është një komision për demokracinë dhe Europën Juglindore në Këshillin e Europës, por nuk është në fokusin e saj të ndryshojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Jam i sigurt se edhe teoricienët e Partisë Socialiste thjesht po fitojnë pak kohë.
Por nuk e kuptoj se pse duhet fituar kjo kohë në momente të tilla kur Gjykata Kushtetuese ka vendosur dhe parlamenti është i detyruar të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kam një opsion pse po ndodh kjo gjë: PS dhe gjithë partitë po shkojnë drejt zgjedhjeve, gjërat po shihen më shumë me syrin politik se sa me syrin juridik, logjik dhe aspiratave.
Në momentin kur Partia Socialiste në krahasim me gjithë periudhën e demokracisë e ka tepruar duke lëshuar njerëzit e vetë, me siguri ndodhet para një zëri që mos ta lëshojmë dhe Oltën në mënyrë të menjëhershme. Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ndryshon.
Nuk më vjen mirë si vëzhgues politik, këmbëngulja pa arsyetim juridik e mbajtjes së mandatit të Xhaçkës, por nuk mund ta çoj arsyetimin deri te thyerja e qëndrimit.



