
Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë shqiptarët me anë të një videomesazhi. Rama fillimisht tha se 2020 ishte një vit i vështirë pasi ende pa marrë veten nga tërmeti ndodhi pandemia. Gjithsesi sipas kryeministrit kjo na ka bërë më të fortë.
“Ky ishte viti unë më i vështirë. Pandemia ishte kafshatë e pakapërdijshme, pas tërmetit shkatërrimtar. U ndodhëm nën presion psikologjik, nga pandemia, të gjithë, me problemet e tyre. Ishte një vit që të gjithë bashkë ne luftuam dhe po luftojmë, që të dalim më të fortë nga luftë. Ne qëndruam edhe ndaj goditjes së tërmetit e shkollat e reja po rilindin, duke u rindërtuar. Shkollat janë tani me një turn. Pas goditjes, dolëm më të fortë”, tha Rama.
Më tej kryeministri tha se së shpejti do të mbërrijë edhe vaksina e koronavirusit, e cila do të jetë falas për të gjithë, ndërsa u kujdes të saktësojë se mjekët dhe mësuesit meritojnë respektin më të madh.
“Vaksina që do të mbërrijë, ajo do jetë falas. Ne do të japim mbështetje për mjekët, për mësuesit, për qytetarët. Mësuesit, mjekët dhe infermierët e Shqipërisë meritojnë respektin më të madh. Jemi krenar për ta. Ky vit ka goditur fort ekonominë dhe punën e ka lëkundur edhe sistemet shëndetësore, edhe më të fortat.
Nëse tërmeti e pandemia do ndodhnin 7 vjet më parë, vështirë të përballoheshin. kemi bërë përpara edhe me infrastrukturën. Nga janari, paga minimale do jetë 30 mijë lekë të reja. E di se ka shumë punë për të bërë, por bashkë mund t’ia dalim. Më të keqen e kemi lënë pas. Gëzuar Vitin e Ri dhe qoftë një vit sa më i mbarë. Kjo qoftë dekada më e mbarë për historinë tonë. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët,”- u shpreh Rama.



