Gazetari Denis Dyrnjaja vitin 2022 në planin personal e sheh si vit të mirë, pasi nisi një projekt i ri dhe epokë e re, referuar emisionit “Bilardo” që pritet të nisë së shpejti në MCN Tv.
Në emisionin “Arnautistan” në MCN, ai deklaroi se në aspektin tjetër ishte përsëritje e 30 viteve në formë pak të ndryshme, por me përmbajtje thuajse të njëjtë.
Nuk e di a prodhojmë politikë apo jo? Kam përshtypjen se nuk bëjmë politikë, jemi parapolitik akoma ose në eksperiment politik, si futbolli i dikurshëm që mendonim se kishim futboll profesionist, por ishim mes amatorëve dhe profesionistëve, që punonin në ndërmarrje paradite.
Kur shoh debatin për Rusi-Ukrainë, them si ka mundësi qe mendojmë se kemi politik, parlamentarizëm dhe ligjvënës. Kjo është e jashtëzakonshme.
Në Britani për 4 muaj larguan një Kryeministër. Nëse ti nuk e meriton këtë vend, ec se do të vijë një tjetër që e meriton, në mënyrë elastike, sfungjeruese.
Neve na është kthyer në fiksasion pushteti. Të gjithë ne jemi ca pushtetarucë të vegjël, secili në atë ngastrën e vetë.
Nuk e mendon dot ikjen, është tragjike ikje, largimi është i paimagjinueshëm, është dërrmim total. Ndërkohë që njeriu rend pas të rejave, ndryshimit.
Kemi nevojë për një rithemelim total të shtetit, bashkë me Kushtetutën dhe gjithë sistemin, në kuptimin e tërësisë së institucioneve dhe mendësisë.
Është një dramë e vërtetë kjo që ndodh me ne, e kemi në përditshmërinë tonë dhe nuk e ndjejmë, por po të kishte sociolog që të merret me atë që ndodh në Shqipëri është një eksperiment i tmerrshëm.
Dyrnjaja shtoi se na takon një faturë të paktën për rendjen që bëjnë shumë njerëz me këtë rikthim të ekspodit masiv të ‘90-‘91.
Ai foli për dy lloj njerëzish që emigrojnë, ata që kërkojnë pasurimin e shpejtë, ose njerëzit e skafeve, duke shtuar se një mësues, një mjek apo një njeri që ka një kualitet të caktuar dhe ka investuar tek vetja, nuk e bën kurrë këtë.
Këta njerëz që emigrojnë, janë me dy standarde ata që shkojnë tek shtëpitë e barit, kërkojnë pasurimin e shpejtë.
Pasuria materiale dhe etja për të qenë shumë lart menjëherë me shpejtësinë e dritës, i çon drejt La Manshe, drejt detit, riskut, drejt humbjes së jetës ose mund të shkojnë drejt burgut.
Ndërkohë një pjesë tjetër që është pjesa më elitare, zgjedhin emigrimin tjetër, drejt karrierës. Mjekët që po shkojnë në Gjermani të gjithë janë futur nëpër spitale dinjitoze, infermierët gjithashtu.
Kjo po krijon një problem shumë të madh, se nuk do ngelen më njerëz. Jemi të parët në Britani dhe kam frikë se do 3-4 fishojmë me shpejtësi se është momenti i pasurimit me shpejtësi.
Ne jemi familje fisnore, sidomos në zonat e largëta të Shqipërisë, ose periferike të Shqipërisë, veriu është emigrues i madh, por nuk mungojnë dhe zona e jugut.
Tërheqin njeri-tjetrin, duke thënë që unë u rregullova, fitoj kaq lekë.
Ka njerëz që kanë mbi 20 vite në Britani që punojnë dhe në banka dhe vetëm kanë krijuar një standard jetese normale, nuk mund të bësh para për luks, apo për të sjellë dhe blerë apo për të bërë vila në Shqipëri.
Nuk ka shans ta ndalojnë, se është një rrjet i mirëorganizuar që do gjejë një mënyrë tjetër edhe nëse do bllokohet La Manshe, kjo është një valë dalldie që në periudha të caktuara shpërthen.
Ne jemi në momentin e dalldisë, do vijë një moment që do bjerë ritmi. Ne s’mund të bëjmë asgjë, se kur të kap dalldia nuk ka fjalë që të ndalon.
Shto dhe këtu mungesën e shpresës, imagjino sa e rëndë bëhet situata. Politika ose e mirëbën vendin, ose e keqbën.
Për fat të keq ne vetëm e kemi keqbërë, e kemi përdhunuar vendin.



