
Ditën e sotme ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i ka kthyer përgjigje presidentit Ilir Meta lidhur me shqetësimin e tij për tërmetin që pritet të bjerë në rajonin e Ballkanit. Në letrën e saj dërguar presidentit Meta, Xhaçka shkruan se parashikimi i tërmeteve është përtej mundësive të shkencës dhe i pamundur.
Në përgjigjen e ministres shkruhet se "parashikimi i tërmeteve është përtej mundësive të shkencës" dhe për këtë është konsultuar edhe me Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ( IGJEUM)
Gjithashtu shtohet se "Sizmiologu Tsentelis përgënjeshtroi lajmin e rremë që u bë shkas për shqetësimin tuaj".
Sa i takon masave për përballimin e emergjencave Xhaçja thotë se qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes janë "Më të përgatitur se kurrë në këto 30 vite për t’u përballur me emergjencat".
"Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i jashtëzakonshëm. Koordinimi institucional është shumë më efikas se çka qenë ndonjëherë. Mënyra sesi përballuam tërmetin në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve tona", shkruan Xhaçka.
Më tej ministrja e Mbrojtjes i kujton kreut të shtetit se nuk ka dekretuar ende ligjin "për mbrojtje civile", i cili thotë se është hartuar duke u asistuar nga ekspertë vendas e të huaj.
"Ligji “Për Mbrojtjen Civile”, po pret dekretimin nga ana juaj. Ligji zhvendos fokusin nga reagimi, tek parapërgatitja, parandalimi e zvogëlimi i riskut. Dekretoni ligjin, jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit për t’u përballur me fatkeqësitë natyrore".
Menjëherë ka reaguar edhe zëdhënësi i Presidentit Tedi Blushi, i cili ka deklaruar se papagajtë nuk kanë nevojë për fakte dhe as për argumente, ata vetëm përsërisin veten çdo herë.
“Papagajtë nuk kanë nevojë për fakte dhe as për argumente, ata vetëm përsërisin veten çdo herë. Për ata që kanë dëgjuar sot “zëdhënësen” e re në Shqipëri të z.Tselentis, po u rikujtojmë shkrimet e publikuara në mediat ndërkombëtare dhe kombëtare që i gjeni në linkun më poshtë. Ndërsa për ligjin “Për Mbrojtjen Civile” bën mirë të jetë e informuar se është dekretuar para se të përfundojë afati!”, shprehet ai.



