Anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë dënuar sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, teksa Serbisë i është kërkuar që mos të ndërhyjë në Kosovë.
Në debatin për situatën në Kosovë, deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan që Serbia të merret në përgjegjësi, e nga kjo e fundit akuzuan kryeministrin Kurti për, siç kanë thënë, politikat persekutuese ndaj serbëve të Kosovës, shtensionim të situatës në veri pas sulmit terrorist në Banjskë të Zvecanit dhe kthim të palëve në tryezën e dialogut kanë kërkuar anëtaret e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Gjatë diskutimit për Kosovën në mekanizmin ku Kosova nuk është anëtare por marrin pjesë deputetë të Kosovës me të drejtë fjale, u theksua domosdoshmëria e zbardhjes së gjithë rrethanave të sulmit të 24 shtatorit.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi, tha se prapa sulmit qëndron Serbia duke e strehuar edhe grupin sulmues.
Më 24 shator në fshatin Banjskë të Zveçanit u shkaktua sulm terrorist ku një grup i armatosur vrau një polic dhe lëndoi dy të tjerë. Serbia që është anëtare e këtij institucioni mbështeti këtë grup paramilitar me armë të rënda. Serbia po vazhdon t'i mbështesë dhe të fshehë të gjitha ata sulmues. Është në përgjegjësinë tonë që ta dënojmë terrorizimin dhe të gjitha format e tij.
Prezenca e kampeve të trajnimit në Serbi nuk është vetëm shkelje e normave ndërkombëtare por edhe kërcënim për rajonin. Ne duhet të qëndrojmë bashkë dhe të solidarizohemi kundër terrorizmit. Ne i bëjmë thirrje Serbisë që t'i lëvizë trupat nga Kosova. Prezenca e trupave ushtarake ka potencial për eskalim dhe prishje të paqes. Ne besojmë se dialogu për paqe çon në zgjidhjen e problemeve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Serbisë në Këshillin e Evropës ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për, siç ka thënë, politikat persekutuese ndaj serbëve në veri.
Serbia është e përkushtuar për dialog dhe paqe por problemi është regjimi i Kurtit. Në Banjskë tre serbë u vranë nga një distancë e afërt edhe pse kishin lënë armët, një tjetër u gjuajt në kokë derisa ishte në tokë. Të gjitha vdekjet duhet të hetohen. E përsëris se kjo ngjarje ndodhi për shkak të terrorit afatgjatë të Kurtit dhe dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për ta ndalur atë", ka theksuar Liliana Pantiq, përfaqësuesja e Serbisë.
E, anëtarë të tjerë përfshirë nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën e dënuan aktin duke tërhequr paralele me sulmin e paprecedentë të Rusisë mbi Ukrainë. Po ashtu, përfaqësuesja e Bosnjë-Hercegovinës bëri thirrje që Kosova sa më shpejt të pranohet në Këshillin e Evropës.
Më 12 maj Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, proces i cili nuk është finalizuar ende.



