
Deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia ka dënuar ashpër kryeministrin Edi Rama për koncesionin e hemodializës, ku sipas tij shëndetësia është përdorur për të krijuar skema klienteliste dhe kontrata të kushtueshme që rëndojnë mbi xhepat e shqiptarëve.
Në deklaratën e tij Spahia thotë se përpara këtij koncensioni ekzistonte një modeli i decentralizuar, fleksibël dhe konkurrues, ku spitalet publike ofronin shërbimin aty ku kishin kapacitet. Dhe nevoja plotësohej nga operatorë privatë të licencuar, të kontraktuar dhe të paguar nga FSDKSH.
U ndryshua modeli, duke u kaluar nga një sistem i decentralizuar dhe me kontraktim periodik në një kontratë 10-vjeçare, të centralizuar dhe të përqendruar në një operator të vetëm. Ndonëse në procedurën morën pjesë disa operatorë, përzgjedhja e fituesit ende sot ngre pikëpyetje serioze. Kompania nuk dha ofertën më të ulët. Përkundrazi, ajo ishte 11.1% më e lartë se oferta më e ulët. Megjithatë, ajo u shpall fituese.
Sipas deputetit demokrat, më problematik është fakti se kjo kompani mori pikët maksimale në kriterin e eksperiencës, ndërkohë që nga të dhënat e dokumentuara në material nuk rezulton se kishte administruar më parë qendra hemodialize, duke anashkaluar kësisoj ofertues të tjerë të cilët kishin eksperiencë të drejtpërdrejtë në shërbimet spitalore dhe dializë. Por pyetja që ende sot nuk ka marrë përgjigje thotë ai, as dhe nga drejtësia shqiptare, është se si mundet një kompani e krijuar vetëm dy vjet përpara tenderit, me kapital fillestar prej vetëm 100 mijë lekësh, të marrë pikët maksimale për eksperiencën dhe të fitojë një kontratë rreth 75 milionë euro.
Spahia e vazhdon deklaratën e tij duke theksuar se zbatimi i koncesionit ka prodhuar gjithashtu abuzime dhe kosto të pajustifikuara për buxhetin.
KLSH ka konstatuar raste ku koncesionari ka faturuar shërbime për periudha kur qendrat e dializës nuk ekzistonin ende dhe kur shërbimi vazhdonte të ofrohej nga spitalet publike. Pra, shteti paguante koncesionarin, ndërkohë që për të njëjtët pacientë shërbimi ofrohej nga spitali publik me fondet e veta.
Në auditimin e FSDKSH-së, KLSH konstatoi se edhe në vitin 2022, pra në vitin e 6-të operimit, koncesionari ishte paguar mbi bazën e faturimit dhe jo vetëm të shërbimit faktikisht të kryer. Për 8,854 raste nën dhe mbi projeksionin e qendrave, pagesat arritën në 99 milion lekë ose rreth 1 milion euro, të evidentuara si pagesa për shërbim të pakryer.
KLSH kërkoi rishikimin e projeksioneve dhe kalimin në parimin “Pay x Use”, pikërisht për të eliminuar pagesat për shërbime që nuk kryhen.
Një tjetër absurditet është mos shfrytëzimi i infrastrukturës dhe pajisjeve ekzistuese të spitaleve publike. Rasti i Spitalit Rajonal të Shkodrës, i evidentuar nga KLSH, ngre pikërisht shqetësime për mosshfrytëzimin e investimeve publike ekzistuese, dublikimin e infrastrukturës, eficiencën e fondeve dhe dëmin ekonomik ndaj buxhetit të shtetit.
Ky është thelbi i PPP-ve të shëndetësisë së Edi Ramës: jo të zgjidhin problemin, por të krijojnë një kontratë afatgjatë për të mbushur xhepat nga taksat e shqiptarëve.
Sipas demokratit Spahia, hemodializa nuk është një rast i izoluar pasi të gjitha kontratat koncesionare në shëndetësi vazhdojnë të konsumojnë qindra milionë euro nga paratë publike, ndërkohë që sistemi shëndetësor shqiptar përballet ende me mungesë kapacitetesh, pajisjesh, personeli dhe shërbimesh cilësore. Ky koncesion ka qenë prej vitesh objekt shqyrtimi dhe hetimi. Por shqiptarët ende nuk kanë parë drejtësi për një skemë që ngre kaq shumë pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes, lidhjet e subjekteve, zbatimin e kontratës dhe përdorimin e parave publike.
Ne mbyllje të deklaratës së tij Bardh Spahia thekson se Edi Rama nuk mund të fshihet më pas propagandës.



