
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, me anë të një letre u është drejtuar kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Bashkimit Europian, ShBA, vendeve të rajonit si edhe vendeve të tjera mike e partnere të Shqipërisë, duke u kërkuar të kontribuojnë me ndihma financiare. Teksa i falenderon homologët për kontributin e dhënë për përballimin e fazës së emergjencës, Ruçi i informon për masat e qeverisë për zgjidhjen e problemeve të strehimit dhe pasojave që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit.
“Mbështetja e ndihma që keni dhënë e po jepni në shpëtimin e jetëve njerëzore do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithë shqiptarëve. Megjithë përpjekjet intensive të qeverisë, institucioneve, ekspertëve, sipërmarrjeve private, shoqërisë civile dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, të mbështetur edhe nga organizata, sipërmarrjeje dhe qeveri të mjaft vendeve mike, të cilët po tregojnë solidaritet dhe humanizëm të pashoq, burimet dhe kapacitetet tona në përballimin e pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore janë të kufizuara dhe të pamjaftueshme. Prandaj ne po mobilizohemi për të fituar sa më shumë mbështetje ndërkombëtare për të rikuperuar sa më shpejt që të jetë e mundur pasojat e rënda të kësaj tragjedie”, shprehet Ruçi.
Më tej, Ruçi kërkon që mbështetja financiare dhe burime të tjera të vazhdojë edhe në fazën e ndërtimit të banesave për të prekurit nga tërmeti. “Duke ju shprehur mirënjohjen e thellë timen, të Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, do të vlerësoja shumë nëse do të ishte e mundur që ky kontribut të vazhdojë me burime financiare e burime të tjera edhe në fazën e ndërtimit të banesave për të prekurit nga pasojat e tërmetit shkatërrimtar. Ju falenderoj edhe njëherë nga zemra për ndihmën ndaj vendit tim në këtë kohë të vështirë. Këtë mbështetje nuk do ta harrojmë kurrë”, shkruan në letrën e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi”, përfundon Ruçi.



