
Arrestimi në Francë i Ermal Beqirit, bashkëpunëtorit më të ngushtë të kryemafiozit të Shqipërisë dhe rajonit, Ergys Agasi, dëshmon rrezikshmërinë e madhe që paraqet Shqipëria me krimin e saj të organizuar për rajonin dhe Evropën.
Ergys Agasi për muaj të tërë nuk u shpall në kërkim dhe këtu para jush, me 24 prill të vitit 2026, kam denoncuar se Agasi dhe Beqiri nuk janë në kërkim ndërkombëtar.
Një deklaratë e tillë u bë nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili tha sot se Ergys Agasi ka blerë dy avionë personalë në Austri, duke shtuar se blerja e të cilëve kërkon autorizime të disa institucioneve të Austrisë, vend me një shtet ligjor ndër më të konsoliduarit.
Berisha shtoi se jo vetëm që ka blerë avionët në Austri, por Agasi në qershor ka regjistruar në Slloveni, njërin nga këta avionë dhe biznesin e tij.
Gjatë këtyre muajve, janë të vërtetuara një seri fluturimesh në hapësirën e NATO-s dhe vendeve të BE. Më 24 prill ne denoncuam këtu se Agasi dhe Ermal Beqirin nuk janë në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që urdhër-arresti për ta ishte i datës 25 dhjetor 2025. Pra, edhe katër muaj më vonë, këta nuk ishin.
Agasi është i qetë, drejton të gjitha aktivitetet e tij herë nga Durrësi, herë nga Surreli, herë nga Manza, ku t’i dojë qejfi. Kurse Beqiri ndërmori veprimtaritë e tij në disa vende anëtare të Bashkimit Europian siç janë Austria, Sllovenia dhe Franca. Beqiri ka përvetësuar të paktën 200 milionë euro nga AKSHI i Lindave. Lindës së AKSHI-t dhe Lindës së Surrelit, që kontrollonte AKSHI-n.
Pra, ky është suksesi që reklamonte me të gjithë propagandën e tij Edi Rama. Paraqiste kriminelin Ermal Beqiri para personaliteteve më të larta të Evropës si historinë e tij të suksesit. Një bandit, një kriminel, i cili u kap nga autoritetet franceze duke fluturuar në një zonë që për ata mund të ishte edhe për qëllime spiunazhi.
Dënoj këtë bashkëpunim të turpshëm të Edi Ramës me krimin. Nuk ka dyshim se prokuroria dhe policia e shtetit, po të mos kishin marrë urdhër politik, do procedonin në kohën më të shkurtër për mandatet e arrestit ndërkombëtar. Por ata nuk e bënin dot sepse AKSHI ishte prona private e Edi Ramës. Këto janë përmasat e mafies më të rrezikshme në Evropë që kryesohet nga Edi Rama.



