Sekretari i Përgjithshëm i PD-së së Rithemelimit Flamur Noka, në një mbledhje të mbajtur sot në selinë blu, deklaroi se Sali Berisha është i burgosur politik. Ai theksoi se detyra e demokratëve është që të ngrihen në mosbindje civile.
Ne kemi sot si detyrë te marrim kthesën, të hidhemi në mosbindje civile, që ta çlirojmë Shqipërinë nga pengmarrësit dhe të pengmarrët. Ne kemi për detyrë të ngrihemi ne mosbindje civile, jo vetëm për Sali Berishën, por edhe për Sali Berishën. Të ngrihemi ne mosbindje civile jo vetëm për veten, por edhe për veten. Të ngrihemi ne mosbindje civile jo vetëm për PD, por edhe për PD. Të ngrihemi ne mosbindje civile jo vetëm për demokratët, por të gjithë opozitaret, madje edhe për socialistët. Për shqiptarët që e konsiderojnë votën e lirë dhe pluralizmin politik si themel të lirisë dhe rendit demokratik
Po, është e vërtetë që sot po ikin opozitarët nga vendi, por nesër vjen edhe radha e socialistëve. Ata duhet ta kuptojnë këtë. Një vend që zbrazet nuk është një vend ku rroga, pushteti dhe sehiri mjaftojnë.
Të dashur demokratë, të dashur shqiptarë: Sali Berisha nuk është vetëm lider demokrat, ai është edhe udhëheqës shqiptar. Arrestimi i tij është një vepër antishqiptare sepse shkel mbi Kushtetutën e Shqipërisë, mbi traditat shqiptare, sepse shqiptari nuk e ka zakon pritën e pabesë dhe të padrejtë. Ndaj Sali Berishës, edhe me Kushtetutë edhe me Konventën Europiane të të drejtave te njeriut, ka sot një padrejtësi dhe një pabesi nga Edi Rama dhe mercenarët e tij Dumani, Kraja, Millonai e Gjoka.
A i lexoni lajmet për Ramën, që harxhon mijëra dollarë në natë për të fjetur në hotelin e Trumpit? Të atij që deri dje e quante “turp të qytetërimit”. A e dini se pasi flinte në hotelin e Trump, shkonte dhe darkonte me darka dhjetëra mijëra dollarëshe me McGonigalin. Të cilit i paguante qindra mijëra dollarë për të lobuar kundër PD, kundër Sali Berishës. Por për të gjitha këto, ai ka mburojë mercenarët e SKAP-it, Dumanër e kompani, që rrëmbejnë gazetarë për të fshirë emrin e tij nga dosje krimi.
Ne e kuptuam kush ishte SKAP që ditën e pare, kur dosjet 184 dhe 338 të masakrës zgjedhore në Durrës dhe Dibër, ua përcolli prokurorive të rretheve. Me këtë veprim SPAK i dha viston krimit zgjedhor dhe u pozicionua politikisht duke u bërë hanxhar politik në duart e Ramës kundër zgjedhjeve të lira dhe opozitës.Sot, me veprimet ndaj Sali Berishës dhe liderëve të tjerë të opozitës, po vazhdon misionin politik si organizatë e strukturuar kriminale për të shuar opozitën. Kjo nuk është drejtësi. As e re dhe as e vjetër. Kjo është poshtërsi. Por, ne nuk do ta lejojmë poshtërsinë që të përmbysë Shqipërinë. Ne do t’i marrim në dorë fatet e vendit, siç bëmë para 33 vitesh, siç bëmë në 2005. Është detyra dhe fati jonë. Është detyra e shqiptarëve që të ngrihen për një Shqipëri normale, ku të bardhës i thuhet e bardhë dhe të zezës së zezë.
Ku atdheu është për t’u jetuar dhe jo për t’u shitur dhe as për të ikur”.



