
Politologu Ilir Kalemaj e konsideroi si “skandaloz” lajmin për implikimin e mundshëm të Taulant Ballës në aferat e bandave të Elbasanit.
Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN Tv, Kalemaj tha se Shqipëria ka humbur jo vetëm grantin e BE, por edhe mbi 70-80 milionë euro fonde të Bankës Botërore dhe BERZH-it në Portin e Durrësit.
Ndërsa komentoi, sekuestrimin e laboratorit të kokainës në Fier, ku u arrestua ish-kreu i komunës dhe 9 të tjerë, Kalemaj tha:
Së pari kemi të bëjmë me kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike. Ku Shqipëria bëri top 10 duke u renditur e 7-ta në botë, së dyti kemi të bëjmë me trafikun. Është edhe një element i tretë, përpunimi. Këto e bëjnë Shqipërinë një vend kërcënues për BE. E fusin në listën gri për pastrimin e parave. E bëjnë një vend destabilizues për sigurinë e aleatëve ndërkombëtar. Kreu i laboratorit paska qenë një drejtues i lartë! Nuk është i pari zyrtar, kujtojmë Kajmakun, Pjetrin, zyrtarë të niveleve të ndryshme, si ai Laçit që kishte bërë gjëmën në Spanjë dhe ishte drejtor i Rilindjes. S’janë lajme të mira jo vetëm se figurojnë në mediat ndërkombëtare, por na vënë në listën e Europol, Interpol. Shqipëria kontrollon burimin e drogës andej nga vjen, nga Ekuadori dhe Kolumbia. Rasti i disatë i kapjes së drogës në banane ishte flagrant. Nëse pretendojmë të bëhemi vend realisht kandidat për në BE, gjëra të tilla duhet të na shqetësojnë shumë”.
Sa i përket përmendjes së shtetasit “Taulant” në përgjime, Kalemaj tha:
Është një lajm skandaloz. Në Republikën e Skandaleve lajme të tilla kalojnë pa u vënë re. Bëhet fjalë për një eksponent të botës së krimit, që implikon qartësisht pa i përmendur mbiemrin, por gjithë referencat ishin për kreun parlamentar të PS. Bëhet fjalë për kërcënime mafioze në nivelet më të larta politike. Qoftë SPAK-u duhet të veprojë me urgjencë, qoftë opozita që duhet të vazhdojë t’i denoncojë këto raste, por njëkohësisht duke qenë e besueshme vet”.
Lidhur me tërheqjen e fondeve të BE, Kalemaj u shpreh:
Ka gënjeshtra të bardha që quhen PR, të zeza që janë propagandë dhe gri që janë deformim i fakteve. Ambasadorja e BE në mënyrë të përsëritur e bëri të qartë që fondi është anuluar tani dhe jo në 2019. 28 milionë euro i ikën direkt shtetit pikërisht për shkak të projektit që na lë pa port. Ishin 70-80 mln euro të investuara nga BB dhe BERZH, kemi mbi 100 milionë euro të humbura”.



