Debati për reformën zgjedhore ka bërë që opozita parlamentare të bojkotojë kuvendin gjatë seancës së sotme për të dytën herë në historinë e saj. E para ndodhi vetëm pak ditë më parë, ndërsa e dyta sot, pasi kryetari i grupit Demokrat Myslim Murrizi tha se kjo është një provë që tregon se nuk do të votojnë reformën zgjedhore në rast se nuk bëhen listat e hapura.
Mirëpo listat e hapura janë një temë e mbyllur e marrëveshjes së bërë tani me opozitën jashtëparlamentare dhe një ndryshim do të cënonte këtë akord të arritur në këshillin politik. Megjithatë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, kërkoi nga opozita parlamentare që të kthehet dhe të diskutojnë për këtë çështje, pasi qeveria është gati të diskutojë për një hapje të pjesshme të listave.
Ajo që bëri përshtypje është se nga largimi i opozitës parlamentare dy deputetë qëndruan. Bëhet fjalë për Fatjona Dhimitrin nga grupi Demokrat dhe Kostaq Papën. Ndërkohë pas largimit të opozitës, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla u shpreh:
"Nuk e kuptoj cfarë kërkojnë, këta bëjnë presion duke ikur, Luli bën presion të votohet marrëveshja. Po kjo partia që unë përfaqësoj ka të drejtë që të kërkojë? Jemi dakord nëse hapen listat, por ka disa rregulla, pasi nëse hapen listat, fleta e votimit bëhet një libër me 100 faqe. Prandaj janë të lidhura me njëra tjetrën. Por ju lutem, kjo histori që ju vini kushte duke ikur, ata duke bërtitur. Kush mendon se mund të na bëjë presion, opozita brenda apo jashtë parlamentit, për marrëveshje ta harroni, nga bojkoti nuk jemi surprizuar. Ne do të vijojmë komunikimin te 'Ligjet' për një hapje të listave, jo të plotë si një hap të parë.
Për mua është e rëndësishme që kuvendi i ardhshëm të ketë sa më shumë barazi gjinore. Prandaj temat tuaja që nuk prekin marrëveshjen jemi gati ti diskutojmë dhe ndërkohë, për cështjet e tjera puna e Kuvendit duhet të vijojë. Thirrja ime është që opozita parlamentare të rikthehet, e mirëkuptoj arsyen si një presion që shumica nuk i ka mundësitë ta kalojë e vetme marrëveshjen. Për ne listat nuk janë tabu, por të gjejmë të gjitha modalitetet, të shkojë në dobi të procesit transparent."
Sakaq në fjalën e tij Myslim Murrizi, kreu i grupit Demokrat deklaroi: "Zoti Balla dëgjova me vëmendje gjatë fjalës suaj, sikletin që keni, se doni të qëndroni burra të mirë edhe me ata, edhe me ne, edhe me ca të tjerë. Hallit tuaj ia jep zgjidhjen perfekte kënga e Artjola Toskës "Mirë me vjehrrën, mirë me burrin, fjala e mirë...". Ne nuk e kemi këtë hall. Problemi është se ju zoti Balla ne si opozitë kemi bërë një kërkesë të ligjshme për hapjen e listave. Nuk kemi thënë kurrë kod zgjedhor, por kod zgjedhor sipas rekomandimit të OSBE-së, jo që hajdutët të numërojnë votat tona.
Ju keni një mundësi për ta votuar jashtë kësaj salle, hajde të shkojmë në referendum. Një marrëveshje e ndërtuar mes një deputeti të shumicës dhe dy qytetarëve të zakonshëm, nuk mund të detyrojë deputetët e opozitës. Ne kemi kërkuar lista të hapura kombëtare dhe votim 100% të rekomandimeve të OSBE-së, kemi kërkuar që të ketë prag zgjedhor që askush të hipë në kurriz të kurrëkujt, kemi kërkuar që votat të numërohen jo nga militantë, se ju jeni tre subjekte, por 74 parti të tjera pse duhet të kenë besim te ju, tre hajdutë.
Ndaj nëse ju si shumicë keni hapur ankand, ju jepni fjaën atyre që janë jashtë sallës, dhe individëve të tjerë që takoni brenda apo jashtë sallës se do tëbëni 84 vota, harrojeni. Ju keni 74 mandate, me trasta, presione, joshje të cilët kjo sallë i ka provuar, ju nuk do i bëni ato vota për të votuar një pazar të pistë që nuk është është as më shumë e as më pak lënia në fuqi e kësaj paçavureje. Para faktit të kryer, vota e tyre do të dijë se kë të zgjedhë në 2021, hapni listat nëse doni konsensusin tonë. Ne do të bëjmë një provë që sot, unë të ftoj Balla ngreje ofertën dhe merri 84 deputetë nga këtej, ftoj kolegët të dalim nga kjo seancë dhe Balla të vijojë merkaton."



