
Hapja e qendrës se Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, një ngjarje e lajmëruar prej kohe, mblodhi bashkë figura të politikës e të artit, gazetarë e përkrahës të lëvizjes. Në të morën pjesë anëtarë kryesie, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes nga Kosova, ndërsa nga Shqipëria mori pjesë ministri i Diasporës Pandeli Majko, i cili ishte kryeministër në kohën e luftës e të çlirimit të Kosovës.

Kryetarë, anëtarë të bordit dhe aktivistë të lëvizjes përcollën vizionin e Lëvizjes dhe shprehën shqetësimin e tyre për situatën mbarëshqiptare andej e këndej kufijve.
Në fjalën e tij me rastin e hapjes, Albin Kurti, udhëheqësi i Vetëvendosjes, tha se populli shqiptar duhet mbi të gjitha të luftojë për barazinë e vet me të tjerët dhe me veten.
“Populli shqiptar ndodhet ndërmjet dy zjarreve, ndërmjet dy pabarazive: pabarazisë së jashtme me popujt tjerë dhe pabarazisë së brendshme te vetja. …Barazi me kombet e tjetra, por edhe barazi brenda kombit tonë. Nuk ka ardhmëri nëse shumica e shqiptarëve e kanë mbijetesën luks ndërkaq pakica e ka luksin normalitet. …Bashkimi ynë kombëtar dhe Bashkimi Evropian as nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe as nuk e pengojnë njëra-tjetrën… Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi kombëtar i shqiptarëve, në Ballkan, bëhen paralelisht me krijimin e aleancës ballkanike Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Bullgari, plus Sarajeva, Podgorica dhe Shkupi zyrtar, ku shqiptarët duhet të prijnë.”

Drejtori i Qendrës së Lëvizjes në Shqipëri, Boiken Abazi, në fjalën e tij deklaroi se: “Sot, pas gati 30 vitesh prej ndryshimit të regjimit, e kanë kuptuar të gjithë se ky nuk është tranzicion. Ky është vetë sistemi. Ekonominë e ka lënë pa prodhim, bujqësinë pa mbrojtje nga tregtia e pandershme, mbrojtjen e vendit pa ushtri me armatim bashkëkohor, dijen e ka lënë në mëshirën e fatit, ndërsa shëndetin publik në ligjet e pamëshirshme të tregut. Ky sistem është edhe më brutal nëse je grua, fëmijë apo i moshuar. Edhe më keq nëse je nga periferia. Produkti me rendimentin më të lartë i këtij sistemi janë të përjashtuarit. Eksporti më i madh i këtij sistemi janë vetë shqiptarët…”.

“Deri tani ne kemi parë projekte ku roli i shumicës është i panevojshëm, ndërsa talenti i individit i refuzueshëm. Kemi parë të tretet para nesh pesha e historisë dhe se si ky vend bëhet kalimtar për njerëzit, maternitet e fjetore, por jo vend banimi dhe dhuntie. Kemi parë se si e shëmtojnë njeriun institucionet që kemi ndërtuar…”, tha ndër të tjera Elvis Hoxha, anëtar i bordit drejtues të Lëvizjes.

Aktivistja Megi Mustafaraj në fjalën e saj risolli faktin se Lëvizja e ka kundërshtuar publikisht reformën e gabuar në arsimin e lartë në Shqipëri që prej vitit 2015. Aktivistja Evi Veliu foli për vështirësitë në profesionin e gazetarit në Shqipëri. Anëtarja e Bordit, Gearda Demiraj foli për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare, për fiaskon në UNESCO në lidhje me regjistrimin e padrejtë të Lahutës si pasuri shpirtërore e Serbisë, dhe nënvizoi nevojën urgjente për bashkëpunim përmbajtësor Shqipëri-Kosovë përtej festivaleve dhe kalendarit turistik.

Kantautori Bashkim Rodoni interpretoi për të pranishmit këngën “Prag”, kurse artistja e mirënjohur Ema Andrea solli prozën migjeniane “Idhuj pa krena”.





