
Sot në Bruksel do të mbahet takimi i parë i grupit punues për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Këtë e kanë konfirmuar nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian.
“Të enjten, me 21 tetor, do të mbahet mbledhja e parë e grupi teknik për targat e automjeteve. Në këtë mbledhje do të shqyrtohen opsionet për një zgjidhje të përhershme duke u bazuar në tre parime kryesore: i) zgjidhja duhet të jetë sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian, ii) të jetë e aplikueshme dhe të aplikohet për të dy palët, iii) dhe nëse njëra palë bllokon arritjen e një zgjidhje të përbashkët apo nuk zbaton atë që është dakorduar atëherë ajo është palë bllokuese e dialogut. Në këtë mbledhje të parë nuk pritet të merret ndonjë vendim”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ndërkaq zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar për mediat në Kosovë se grupi punues ka për qëllim që të gjejë një gjetje të përhershme për çështjen e targave.
“Takimi i parë i grupit punues për targat e veturave me ekspertët nga të dyja palët do të zhvillohet më 21 tetor. Grupi punues ka për qëllim që të gjejë një zgjidhje të përhershme për këtë çështje”, ka deklaruar Stano.
Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.
Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e etiketave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do të formojnë një grup punues, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes.
Në marrëveshjen me afat gjashtëmujore, për të cilën u ra dakord nga kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, 21 tetori është përcaktuar si një datë ku do të fillonte puna për gjetjen e një zgjidhje të përhershme për çështjen e njohjes së targave të automjeteve. Grupi i punës synon të gjejë një zgjidhje të përhershme dhe pritet të takohet rregullisht.



