
Lëvizja Socialiste për Integrim ka dorëzuar në Kuvend amendamentet për zgjidhjen e kërkesave të studentëve. Amendamentet parashikojnë ndryshime në buxhet dhe në ligjin e arsimit të lartë.
Dy deputetet e LSI-së, Floida Kërpaçi dhe Keidi Mehmetaj, të cilat dorëzuan në Kuvend amendamentet, e kushtëzuan pjesëmarrjen në seanca me diskutimin e ndryshimeve të propozuara.
“Rama tentoi të bëjë shou dhe kjo qeveri është arrogante. Nuk ka më kohë të presim për qeverinë dhe ne sollëm zgjidhjen konkrete. Janë dy ndërhyrje, një për buxhetin dhe një për ligjin e arsimit të lartë. Kryeministrit iu tha pështyma dje kur pa mijëra student që protestonin. Nuk na pengon asgjë që këto amendamente të kalojnë nesër në Kuvend. Procedurat mund t’i bëjë që sot. Nuk ka asnjë procedurë që mund të pengojë këtë procedurë. Ne do jemi në Kuvend nëse diskutohen këto ndryshime. Kush do të ardhme për studentët dhe Shqipërinë të votojë këto amendamente për zgjidhjen e 8 kërkesave të studentëve”, tha Mehmetaj.
Propozimi për ndryshimet në ligj u hodh fillimisht dje gjatë një deklarate të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.
Ndërsa sot, përmes një postimi në Tuiter, kryeministri Rama e ironizoi propozimin e Kryemadhit. “Doktoresha e Shkencave, Monika Kryemadhi, s’paska fjetur mbrëmë, por e ka gdhirë duke menduar për të shkretët studentë duke gjetur zgjidhjen shkencore”, shprehet ai në një postim, duke iu referuar denoncimit në rrjetet sociale për plagjiaturën e saj.



