
Eurodeputetja në Parlamentin Evropian dhe Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, i doli në mbështetje iniciativës për formimin e qeverisë së pakicës nga Dritan Abazoviç dhe Lëvizja URA në Mal të Zi.
Cramon përmes një shkrimi në Twitter shkroi se “iniciativa për të formuar qeveri të pakicës në Mal të Zi është për t’u mirëpritur për zgjidhjen e bllokadës politike dhe avancimit të vendit”.
“Qytetarët e Malit të Zi kanë votuar për ndryshim që do të sillte drejtësi për të gjithë, persekutim të elitës së korruptuar dhe të avancojë rrugën e vendit drejt integrimit në BE”, shkroi Viola von Cramon.
Sipas saj me formimin e koalicionin të pagëzuar me emrin “E bardha në të zezë”, e cila supozohet të ketë mbështetjen e së paku 49 deputetëve, është gjëja e duhur.
“Tani është koha e duhur për të përmbushur këto premtime, për t’i mbledhur të gjitha forcat demokratike, përparimtare dhe pro-evropiane prapa Dritan Abazoviçit, dhe të fillohet puna që Mali i Zi të bëhet anëtari i rradhës i Bashkimit Evropian”.
Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe Partia Boshnjake i kanë dhënë mbështetje koalicionit “E Zeza në të Bardhë” për formimin e qeverisë së re në Mal të Zi.
Abazoviç ka prezantuar ofertën e tij për qeveri të pakicës, dhe pritet përgjigje nga eksponentët politik të Malit të Zi deri në fund të javës.
Më 17 janar gjatë prezantimit të propozimit për qeveri të pakicës, Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS thanë se në një qeveri të tillë nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partinë më të fortë të koalicionit aktual, Frontit Demokratik (DF), parti pro-serbe.
Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe lideri i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviç ka thënë se ky model është një zgjidhje e mundshme, por të cilën nuk do t’ia imponojnë askujt.



