Kryeministri Edi Rama gjatë takimit të sotëm në Vaqar, u ndal edhe tek situata e ujit të pijshëm.
Kreu i qeverisë theksoi gjatë bashkëbisedimit me gjytetarët se po mendojmë edhe për një reformë të sistemit të shërbimit të ujit të pijshëm, pasi, përveç Bashkisë së Tiranës dhe shumë pak bashki të tjera, nga mungesa e një reforme serioze në këtë shërbim që nga viti 1990, pjesa më e madhe e ujësjellësve janë financiarisht të falimentuar.
Rama deklaroi se pjesa më e madhe e bashkive që e bëjnë këtë shërbim nuk kanë asnjë shans që ta rimëkëmbin shërbimin, në qoftë se nuk zbatojnë me rigorozitet planin e duhur për shërbimin. Ajo që konstatohet me ujin është se askund ku njerëzve iu kërkohet ta paguajnë, nuk ka diskutime. Njerëzit janë të gatshëm ta paguajnë. Uji është qartësisht, sot, një sfidë kombëtare.
"Çka thashë se është shërbim bashkiak nuk është justifikim dhe nuk është për t’iu shmangur përgjegjësisë. Është një sfidë kombëtare që ne duhet ta përballim, siç përballëm sfidën kombëtare që kishim në fillim të mandatit të parë për energjinë. Nuk mundet më të vazhdojmë që ta shpërdorojmë ujin. Nuk mundet më të vazhdojmë të mendojmë që një pjesë e paguan e pjesa tjetër me lidhje të paligjshme, jo vetëm që e vjedh, por edhe e shpartallon komplet si pasuri, duke ujitur me ujë të pijshëm arat.
E papranueshme! Ashtu sikundër është e papranueshme që ndërmarrjet e ujësjellësve përdoren si ndërmarrje punësimi, ndërkohë që duhet të jenë ndërmarrje shërbimi. Kështu që për ujin na duhet kohë për të arritur rezultatet e dëshiruara, por do ta trajtojmë këtë çështje më shumë përparësi. Po ashtu kemi filluar programin që do të vazhdojë dhe nuk do ketë asnjë metër katror tokë buke që nuk do ujitet.
Në 2013-ën e kemi marrë Shqipërinë me 120 mijë hektarë që ujiteshin, në krahasim me 420 e ca mijë hektarë që ujiteshin në 1990-ën. 300 mijë hektarë më pak, një pjesë e tyre sigurisht nuk janë më tokë buke, sepse janë bërë ndërtime. Ne, në dy vjet e kemi dyfishuar sipërfaqen e ujitjes, nga 120 mijë në 240 mijë dhe mund të shkojmë në 350 mijë. Më tepër nuk shkojmë dot, se për shkak të transformimit të tokës nuk është më tokë bujqësore. Bashkitë kanë marrë ekskavatorë të mëdhenj që punojnë vazhdimisht dhe besoj se në harkun e dy viteve, kjo gjë do të jetë e zgjidhur kudo", deklaroi kryeministri Rama.



