Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, thotë se atentati i ndodhur në aeroportin e Rinasit ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani, i cili rezultonte pjesë e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, tregon lidhjen e organizatave kriminale me shtetin.
Në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit” në MCN TV, ai deklaroi se krimi i organizuar nuk është e kundërta e shtetit, është bashkëpunëtor i segmenteve të rëndësishme të shtetit
Organizatat kriminale në Shqipëri janë shumë të fuqishme për shkak të marrëdhënieve me shtetin, qeverinë dhe partitë dhe sidomos me partinë në pushtet, ku nga influenca e këtyre organizatave kriminale ka mbiprodhim votash.
Pikërisht këto organizata kriminale kanë amnisti. Personazhi i vrarë është anëtar i organizatës kriminale, një nga njerëzit afër Emiljano Shullazit.
Shoqëruesi i tij ishte punonjës i policisë, pjesë e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ata që duhet të kapin policët e korruptuar, kjo tregon që ne kriminalizimin e kemi brenda strukturës së shtetit.
Krimi nuk është e kundërta e shtetit, krimi është bashkëpunëtor i segmenteve të rëndësishme të shtetit.
Ti ke sot kulla të ndërtuara në Tiranë, që SPAK i heton sepse dyshohen për pastrim parash. Siç është kulla te ish-Ekspozita, ku dyshohet se investitori është pjesë e krimit të organizuar.
Nuk është vetëm çështje banditësh, kur banditët janë brenda përbrenda shtetit janë struktura edhe elektorale, këtu lufta bëhet më e vështirë se është sistem kriminal-ekonomik dhe politik.



