Gordana Silanovska-Davkova e ka bërë betimin të dielën si gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut prej pavarësimit të vendit në vitet ’90, pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 maj.
Davkova e mposhti presidentin e deritanishëm, Stevo Pendarovski, duke fituar dyfish më shumë vota se ai në balotazhin e së mërkurës.
Pasi u betua gjatë një seance para përbërjes në largim të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Davkova, megjithatë, gjatë fjalimit të saj e shmangu fjalën “e veriut” në emrin e shtetit, ashtu siç kishte paralajmëruar gjatë fushatës së saj.
Do të jem presidente e të gjithëve, edhe pjesës së majtë edhe asaj të djathtë të Kuvendit; presidente e të gjithë qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo politike.
Megjithatë, Davkova, në fjalimin e saj nuk foli për çështje që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të vendit, i cili varet nga ndryshimet kushtetuese bazuar në një marrëveshje me Bullgarinë, por tha se do të punojë për “evropianizimin e vendit së bashku me shtetet e tjera të Ballkanit”.
Sipas mediave greke, teksa Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska, po bënte betimin, ajo nuk e quajti vendin e saj “Maqedoni e Veriut”, por thjesht “Maqedoni”.
Kjo ka revoltuar ambasadoren e Greqisë, Sofia Filippidou e cila në shenjë protestë është larguar nga ceremonia e betimit.
“Vlen të theksohet se në ceremoninë e sotme nuk morën pjesë liderët e vendeve fqinje, Bullgarisë, Serbisë dhe Shqipërisë, për dallim nga ceremonia e fundit e betimit presidencial, ku mori pjesë edhe presidenti bullgar Radomir Radev. Vendet e lartpërmendura thuhet se pretendojnë se nuk kanë marrë ftesa në kohë”, shkruan Kathimerini.
Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.



