
Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak, ka folur nga Korça në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vasak tha se nuk e di se çfarë vendimi do të jepet, pasi do të jetë në unanimitet. “Nuk dua të fshihem pas gishtit. Ju keni ngritur pyetjet për rrugën europiane. Ju prisni, ne presim të gjithë bashkë përgjigjen e rëndësishme. Ne nuk dimë çfarë vendimi do jepet. Ky vendim do të merret në unanimitet”, tha Vasak.
Ambasadorja e Francës në Shqipëri vuri theksin te rëndësia e hapjes së negociatave, duke thënë se çështja e Brexit-it apo lufta në Siri janë po aq të rëndësishme sa negociatat e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq, Vasak vlerësoi rëndësinë që ka dosja e hapjes së negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë, teksa u shpreh se Franca ka një miqësi të vjetër me këto dy vende.



