
Deputeti socialist Ilir Metaj, thotë se mënyra e tij e komunikimit ka ndryshuar nga më parë, përballë detyrës së re, duke folur për detyrën e qytetarit, familjarit por edhe politikanit.
Për emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos, ai tha se në radhët e opozitës momentalisht nuk ka një politikan që vlerëson.
Vlerësimi për një politikan bëhet më shumë për veprat e tij se sa për fjalët. Nëse duhet të japë një opinion për opozitën, duhet ta japë për derexhenë ku ndodhet.
U fitua mandati i parë, i dytë, i tretë, të thuash qe fituam se u nda opozita, nuk qëndron. Opozita është në një hartë ishullore, ku askush nuk komunikon me njeri tjetrin dhe ka një det të trazuar që as me not nuk shkojnë dot te njeri tjetri. Por ky nuk është problemi ynë, se ne kontratën e kemi me shqiptarët.
Më tej ai foli për qytetin e tij, Vlorën, duke thënë se është një qytet që po i bën edhe të zemëruarit të paqëtohen dhe të ikurit të kthehet.
Sa i takon largimeve të mjekëve dhe infermierëve, Metaj deklaroi se profesionistët kërkojnë më të mirën.
Kjo nuk do të thotë që ne nuk po bëjmë përpjekje që Shqipëria nuk është vetëm një vend nga po iket, por edhe ku po kthehet për të vijuar jetën.
Vlonjatët në përgjithësi janë njerëz që ikin por që kthehen gjithmonë. Unë jam emigrant ekonomik, që jam kthyer. U ktheva edhe me idenë për të bërë timen që koha e Berishës të mbaronte sa më shpejtë.



