Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, përfaqësuesi demokrat Oerd Bylykbashi kërkoi që të mos jetë pazar i paracaktuar.
Ai deklaroi se nuk duhet të jetë si fundi i vitit 2020 i asaj reforme ku një pazar jo thjesht ndryshoi Kodin Zgjedhor, por shkatërroi një sistem zgjedhor.
Rregullat e lojës nuk ndërrohen në mënyrë të njëanshme. Ne sot duhet të punojmë bashkë për të vënë rregulla loje për zgjedhësit jo për ne anëtarët e komisionit dhe 140 deputetët që do të votojnë.
Sipas tij, nëse kjo reformë do shërbejë për të krijuar krizë politike është më mirë që të mos nisë, pasi tha se do të jetë themeli i një krize që do na çojë mbrapsht 20 vite.
Ky është nga komisionet e rrallë kaq i madh. Ky komision ka nevojë të jetë efikas. Rënia dakord që këtu të jenë përfaqësues grupesh parlamentare është i gabuar, duhet të ishin të gjitha partitë politike, të mëdha dhe të vogla.
Për fat të keq në gjykimin tim, unë e shoh këtë komision si fotokopje, pa marrë parasysh realitetin. Kemi vënë si objekt të punës rekomandimet e OSBE-ODIHR, por dëgjova këtu që ky komision nuk është politik, por është teknik.
Kjo është një nga reformat më politike që bën ky Parlament. Nëse këtu shkon teknikisht gabim, ditën e zgjedhjeve është politik.



