Ish-deputetja dhe ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në tubimin e thirrur nga kryeministri Edi Rama, duke deklaruar se socialistët e vërtetë nuk ndodhen në atë që ajo e cilëson si “antimiting”, por pranë të rinjve që protestojnë prej ditësh për dinjitet dhe drejtësi sociale.
Në një reagim të fortë publik, Dade thekson se Partia Socialiste historikisht ka qenë në pararojë të ndryshimeve dhe jo pjesë e kundërprotestave të organizuara nga pushteti.
Sot, socialistët e vërtetë nuk gjenden në antimitingun e thirrur nga lart. Ata janë aty ku ka qenë gjithmonë shpirti i së majtës, në sheshin ku rinia po proteston për dinjitet.
Sipas ish-ministres, Partia Socialiste ka qenë protagoniste në momentet më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar, duke kujtuar përballjet politike të viteve ’92, ’94, ’97 dhe protestat e 21 Janarit. Megjithatë, ajo akuzon drejtimin aktual të partisë se ka devijuar nga vlerat dhe misioni i saj themelues.
Refuzimi im është ndaj antimitingjeve të korrupsionit dhe fasadës, që i shërbejnë vetëm pushtetit dhe parasë.
Ajo kundërshton edhe narrativën e kryeministrit Rama se protestat e të rinjve kanë karakter destabilizues, duke argumentuar se kërkesat e tyre janë thellësisht sociale dhe përfaqësojnë vlera tradicionale të së majtës.
Kjo protestë nuk është kundër së majtës. Përkundrazi, ajo kërkon barazi, mundësi dhe mbrojtje për ata që janë lënë pas dore nga qeverisja.
Në vijim, Dade shpreh shqetësimin për atë që e konsideron “zaptim” të Partisë Socialiste, duke e krahasuar me mënyrën se si, sipas saj, Sali Berisha kontrolloi Partinë Demokratike pas viteve ’90.
Ajo ngre akuza të forta për korrupsion, klientelizëm dhe arrogancë pushteti brenda PS-së, duke shtuar se partia ka nevojë për një proces vetëpastrimi dhe rikthimi te idealet e saj.
Shqipëria ka nevojë për një të majtë të rilindur mbi idealet e saj fillestare, me moral, integritet dhe me sytë nga qytetarët, jo nga xhepat.
Në përfundim, ish-ministrja apelon për një riorganizim të së majtës shqiptare dhe për rikthimin e Partisë Socialiste te vlerat që, sipas saj, e kanë bërë një nga forcat kryesore të shtetformimit dhe progresit në vend.



