
Kryeministri Rama doli sot para mediave për të folur në lidhje me zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm. Pas seancës së tensionuar ku u bë votimi i Arta Markut në postin e kryeprokurores së përkohshme, Rama tha se vendi nuk do të jetë më peng siç ka qenë deri kur erdhi ora e reformës në drejtësi.
Rama tha që ata që përpiqen të përdorin opozitën si çadër për t’u mbrojtur nga drejtësia nuk do t’ia dalin. Rama tha se zbatimi i reformës në drejtësi do të bëhet deri në fund me apo pa opozitën.
Rama iu rikthye protestës pothuajse 3-mujore të PD-së në çadër dhe, sipas tij, mbështetjes së fshehtë të LSI-së.
“U mor peng bulevardi i Tiranës për të marrë peng reformënnë drejtësi për të bllokuar vetingun dhe për të kërcënuar zgjedhjet e përgjithshme. Ishin po këta që sot gjuajtën me çfarë u kapi dora, por atëherë bërtisnin në çadër, të tjerë hidhnin gurin me qetësi e fshihnin dorën me dashuri, derisa i humbën edhe qetësinë, edhe dashurinë, edhe tepsinë. Që në ditën e parë në qeveri kemi treguar respekt për çdo protestë dhe çdo protestues. Por atyre të sotëm iu bëj një pyetje të thjeshtë. Po mirë a mund të ketë budallenj të tillë që të besojnë se BE dhe SHBA të pranojnë që kryeprokurori të zgjidhet përmes një puçi kushtetues?”, tha ai.
Rama tha se shfaqje si ajo e sotmja në Kuvend i bëjnë dëm imazhit të një vendi që pret çeljen e negociatave me BE-në.



