
Presidenti i Bajram Begaj, priti sot në takim Kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez Perez-Castejon, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti Begaj shprehu keqardhje dhe solidaritet me popullin dhe qeverinë spanjolle për dëmet e mëdha që vala e nxehtit dhe zjarret masive kanë shkaktuar në Spanjë.
Kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që Spanja i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian.
Jam besimplotë se gjatë Presidencës spanjolle të Bashkimit Europian, në 6-mujorin e dytë të vitit të ardhshëm, mbështetja e Kryeministrit Sanchez dhe e qeverisë së Spanjës do të jetë shumë domethënëse për procesin e negociatave të aderimit të Shqipërisë në BE.
Presidenti i Republikës u ndal në situatën e tensionuar në veri të Kosovës, ku përshëndeti autoritetet e Kosovës për maturinë e treguar, që në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë shmangën një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë për rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë.
Kosova tashmë është një realitet i pakthyeshëm politik, kontribues për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe i konfirmuar jo vetëm nga mbi gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur atë, por edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, 11 vjet më parë, u shpreh Kreu i Shtetit duke iu referuar anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Në takimin me kryeministri spanjoll, Presidenti shprehu besimin se qeveria spanjolle do të gjente modalitetet e duhura politike e diplomatike për ta lehtësuar e mundësuar praninë e Kosovës në organizatat e ndryshme europiane dhe ndërkombëtare, si dhe për lëvizjen pa viza të qytetarëve të saj në hapësirën e BE-së, ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit të Europës Juglindore.



