
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kushdo që kalon në Rrugën e Kombit, nuk do të paguajë taksën që qeveria vuri pa paralajmëruar qytetarët, dhe që koncensionari nisi ta vjelë për disa ditë. Sipas kreut të qeverisë kjo tarifë nuk do të merret, derisa të përcaktohet se tarifa që do të paguajnë banorët që janë rreth zonës së Rrugës së Kombit.
Taksa për kalimin e automjeteve është 5 euro për një rrugë, dhe 10 euro për një rrugë vajtje-ardhje dhe sipas Ramës 5 euro në ditë është një vlerë e paarsyeshme.
"Nuk do të fillojë operimi i taksës pa u përcaktuar çfarë do paguajnë qytetarët. Normal që 5 euro në ditë është e paarsyeshme!", theksoi Rama në emisionin "Opinion".
Sipas kryeministrit kjo rrugë ka probleme dhe është kërcënuar nga një rrënim i pakthyeshëm, dhe ka 37 pika që mund të ketë rrëshqitje dheu ku mund të kishte dhe viktima.
“Rruga e Kombit po bie, është i kërcënuar nga një rrënim i pakthyeshëm, ka ngjarje të herëpashershme ku ka rrëshqitje toke dhe u përpi një biznes i mirë aty, mund të kishim të vdekur edhe dhjetra persona në rast se ajo shembje do kishte ndodhur ne prani te njerezve. Në rrugën e Kombit bien gurë nga lart, ka 37 pika që mund të ketë rrëshqitje dheu, vetëm dëmin për haopjen e parakohshme e ka pasur 150 milion euro. Vetëm Rruga e Kombit merr 42 milionë cdo vit nga Qeveria. Jam kryeministri i vendit, njeriu më i painteresuar të vë taksa e tarifa se në fund krijon pakënaqësi", tha Rama.



