
Shqipëria ishte një prej 128 vendeve që votuan rezolutën që kundërshton vendimin e SHBA-ve për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Ministria e Jashtme bëri të ditur dje se me vendimin pro rezolutës, Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin si dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së.
Por kreu i shtetit mesa duket ka pasur një qëndrim tjetër. Në një prononcim për mediat në emër të Presidencës, zëdhënësi Tedi Blushi tha se “presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar”.
Sipas tij, presidenti Meta vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar. Meta gjen rastin të rikujtojë se SHBA-të mbeten aleati dhe partneri më i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla duhet të jenë të mirë koordinuara.
“Populli dhe kombi shqiptar nuk e harrojnë kurrë dhe i janë mirënjohës vendimeve historike të SHBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e cilëson të gabuar qëndrimin e mbajtur nga shteti shqiptar ndaj rezolutës në OKB. Duke folur në cilësinë e ish-ministrit të Jashtëm, Basha tha se vota e djeshme e Shqipërisë në OKB ishte ndryshim qëndrimi dhe jo vijim i qëndrimit të mbajtur në 27 vitet e fundit.
“Për çështjet e Lindjes së Mesme Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite një qëndrim të rreshtuar gjithmonë me qëndrimin amerikan. Këtu e kam lënë unë si ministër i Jashtëm dhe në dijeninë time deri sot këtu ka qenë. Sot për herë të parë Shqipëria ka ndryshuar qëndrim, ndryshe nga sa thotë z.Bushati. Për herë të parë Shqipëria ka ndryshuar qëndrim dhe është rreshtuar me qëndrimin e shumicës së vendeve të Bashkimit Europian. Qëndrimi im personal është që ky është një qëndrim i gabuar. Arsyeja pse e them këtë nuk është as partizane, as pasionante dhe as nuk ka të bëjë me thelbin e çështjes. Sepse thelbi i çështjes është tepër i madh për t’u gjykuar nga cilido shqipfolës”, tha ai.
Basha akuzoi qeverinë se me votën pro rezolutës u pozicionua kundër interesit kombëtar të shqiptarëve, duke kujtuar rolin e SHBA-ve në pavarësinë e Kosovës.
“Duke votuar kundër SHBA, qeveria ka vepruar kundër interesit kombëtar të shqiptarëve. Interesi i Shqipërisë dhe i kombit shqiptar, deri më sot, janë shërbyer në avancimin e tyre nga një aleat strategjik dhe ato janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa SHBA-të, Kosova sot nuk do të ishte as e lirë, as e pavarur. Kjo është bindja ime. Pa SHBA-të, Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s. Natyrisht, që ne synojmë të arrijmë në një stacion tjetër që është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Për sa kohë që Bashkimi Europian nuk e kushtëzoi politikën e vet të jashtme dhe, në dijeninë time, ne kemi vende të Bashkimit Europian, të cilat kanë votuar krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk kishte asnjë arsye që Shqipëria të ndryshonte qëndrim dhe të mos vazhdonte bazimin e politikës së saj të jashtme, në lidhje me çështjet e saj kryesore të Lindjes së Mesme, te qëndrimi i amerikan. Jo për të mbajtur flamurin se si duhet të zgjidhet apo jo çështja e Jeruzalemit apo konflikti Palestinë-Izrael, por për të mbrojtur interesin kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe interesin kombëtar të kombit shqiptar”, tha Basha.



