Cilat ishin arsyet e divorcit të Vangjel Dules me Edi Ramën dhe a beson ai në opozitën e Bashës? Çështja çame, afrimi i Idrizit dhe ftohja me Athinën. Si dhe “Përse”-të e panjohura të vizitës së Dules në ceremonitë e Presidentit Trump. A është ai pika lidhëse mes opozitës së djathtë dhe stafit të ngushtë të shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë? Për këto dhe të tjera pyetje, i ftuar këtë të hënë në Top Story është vetë kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Intervista
Çfarë ndodhi realisht? Nga ajo ikje e zhurmshme e prillit të 2009 dhe pas kaq vitesh tashmë që ju i largoheni aleatit dhe mikut tuaj Edi Ramës.
Vangjel Dule: Kur bëhen retrospektiva të tilla je në një ankth për ato që ke thënë sepse koha është ajo që provon. Me kënaqësi vërej se shumë prej shqetësimeve të shprehura në atë intervistë, gjatë viteve që pasuan u shndërruan në një realitet politik. Ne duke u nisur nga ajo që është tipike dhe dalluese për PBDNJ, luajalitetin tonë ndaj disa vlerave dhe parimeve themelore, nisëm një bashkëpunim me PS dhe zotin Rama dhe natyrisht që këto ishin zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të barabarta, politika të hapura europianizuese në çdo fushë të vendit, respektimi i të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe i të minoriteteve në veçanti. Pati dy periudha, periudha e parë ku ky bashkëpunim ishte shumë pozitiv dhe pastaj nisi periudha e dytë ku të gjitha këto u kthyen në kah të kundërt. Ishim kaq luajal ndaj këtyre parimeve saqë pas 2009, PBDNJ me një mandat që kishte në Parlament mund të përcaktonte shumicën. PD kishte 70 mandate dhe me votën e PBDNJ mund të krijonte shumicën e domosdoshme parlamentare. Përse nuk e bëmë këtë? Nuk e bëmë për të qenë seriozë me veten dhe të besueshëm për njerëzit që na votuan. Rrjedha do të ishte shumë më ndryshe për PBDNJ nëse do të kishte bërë këtë lëvizje atëherë, por do të ishin bërë edhe disa lëvizje përcaktuese.
Patët ofertë atëherë nga zoti Berisha pas zgjedhjeve të 2009?
Vangjel Dule: Ato ishin bërë publike. Në mënyrë të përsëritur në konferenca shtypi Berisha e drejtoi ftesën e hapur, por në të njëjtën kohë edhe në mënyrë konfidenciale u bisedua që PBDNJ, por me shumë dashamirësi dhe korrektësi e refuzuam për t’u qëndruar atyre parimeve, pavarësisht se mund të cënohen interesat tona të ngushta në një periudhë. Në një kohë që të rrallë forca politike do të mbanin një qëndrim të tillë, në vendin tonë, kjo asnjëherë nuk u vlerësua nga ana e PS dhe në rastin më të parë që u ndje në pozita superiore braktisi ato vlera dhe filloi dëbimin e PBDNJ, që ishte një proces, derisa ky plotësua edhe me lëvizjet e fundit të përfaqësuesve të fundit të PBDNJ që ishin në disa pozicione zyrtare.
Kjo besoj erdhi pas qëndrimit tuaj politike që u shfaqët në tryezat e grupit parlamentar të opozitës. Dhatë dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të Kuvendit. Duket sikur edhe ju largoheni në momentin më të parë që ka një krisje, kërkoni luajalitet dhe ndershmëri nga politika…
Vangjel Dule: Politika ka moralin e vet dhe duke thënë se politika nuk ka moral, kjo është ajo që e ka çuar politikën shqiptare në zhvlerësimin që po përjetojmë. Nuk ishte dorëheqja ime nga posti i nënkryetarit që nisi këtë proces që përshkrova pak më parë. Para zhvillimit të zgjedhjeve të 2013, për një vëzhgues të kujdesshëm, konstatimi se PBDNJ ishte distancuar dhe kjo kishte nisur që në 2011, jo nga PS sesa nga zoti Rama.



