Akademiku Artan Fuga tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e MCN Tv se me numrat që ka PS-ja të dala nga zgjedhjet e 11 majit, do të ishte hipokrizi të flitej për pluralizëm.
Pluralizmi brenda Kuvendit të Shqipërisë në këto kushte është i mbaruar. Nuk them se është etapë e mbaruar sikur vdes një njeri por në këtë situatë është hipokrizi e madhe të flisnin për pluralizëm sepse numri i madh i deputetëve të PS-së, që mund të shkojë 80-83 ndoshta dhe më shumë e bën që fjala e opozitës të jetë vetëm fjalë, kurse fjala në Kuvendin e Shqipërisë ne në komunikim e quajmë fjalëveprim.
Më tej Fuga tha se korrupsioni në shoqërinë shqiptare është kapilar dhe se nëse do të bëhet një analizë për nivelet e saj situata do të paraqitet shumë e frikshme.
Nëse do të bëhej një analizë sesa është korrupsioni në shoqërinë shqiptare në të gjitha format e veta, situata është e frikshme dhe në këtë situatë të frikshme, vetëm me ndëshkime nga prokuroritë apo SPAK nuk i dilet dot kurrë sepse mund të duheshin, stadiumet të bëheshin burgje. Aq kapilar është aq i tmerrshëm është, aq e ka molepsur dhe squllur si metastazë shoqërinë shqiptare dhe e ka molepsur në kokë saqë njerëzit e pranojnë si një fakt fatal si vdekja apo e konsiderojnë dhe si sukses të X apo Y dhe për t’u pastruar nga kjo nëse fillon tani, nga fundi i shekullit mund të arrihet që shoqëria shqiptare të vetëpastrohet. Aq rëndë e ka infektuar në të gjitha format dhe nivelet. Dhe është një nga frenat më të fortë që na pengon për të shkuar drejt progresit.



