Ish-kandidati i djathtë për Bashkinë Tiranë, Belind Këlliçi, shpjegoi në studion e “Të Paekspozuarit” se si janë dhënë tenderat në Bashkinë e Tiranës.
Mjafton një logjikë e thjeshtë për të kuptuar se në vitin 2016 puna e parë ishte 27 mijë euro, më pas 50, 70, 80 etj. Në vitin e parë ka pasur ankesa ndaj titullarit nga kompanitë e skualifikuara në mënyrë të padrejtë. Kur këta filluan të majmen, zerohen ankesat nga operatorë që skualifikohen. Të gjithë e kanë marrë vesh se në treg ka hyrë 5D. Operatorë të mëdhenj ose kompani të tjera detyrohen të hyjnë në konsorcium me këta. Në fushatë mora vesh që kompanitë që merrnin pjesë në tendera për rrugë po shkonin drejt falimentit sepse këta punët i bënin vetë.
Këlliçi tha se burimi i parave të fushatës së Veliajt janë pikërisht këto kompani të implikuara në skema korruptive.
Erion Veliaj e ka kthyer të gjithë bashkinë në një institucion që punon për të. E kam hasur shpesh në biseda informale me gazetarë. Ajo që më ka bërë përshtypje ka qenë konsensusi i gjerë që Erion Veliaj nuk mundet se ka shumë para dhe pushtet. Ku i gjeti paratë ky njeri dhe ku e gjeti gjithë këtë pushtet njeriu që duhej të ishte shërbëtori numër një i Tiranës. Burimi i parave të tij ka qenë 5D dhe inceneratori i Tiranës.



