Deputeti demokrat Ramadan Likaj, thotë se tryeza e sotme kryedemokratit Sali Berisha me partitë aleate do të dalë me një projekt të qartë, ku fokusi është largimi i kësaj qeverie dhe krijimi i një qeverie teknike.
Në një intervistë për “MCN Live”, ai deklaroi se brenda dy tre ditësh do mblidhen strukturat e partisë dhe më tej brenda muajit janar, do të ketë një protestë të jashtëzakonshme.
Zoti Berisha iu ka bërë një thirrje publike prej disa ditësh të gjitha partive opozitare, ato që e quajnë veten parti opozitare, që të marrin pjesë në një tryezë të tillë. Besoj fort se sot do të dilet me një projekt të qartë. Opozita e bashkuar gjatë këtyre muajve do të ketë aksionin më të fuqishëm ndonjëherë, sa i takon protestave.
Opozita shqiptare duke pasur parasysh të gjithë problematikat dhe aferat, të gjithë qytetarët duhet ta kuptojnë më mirë se kurrë që duhet të jemi të bashkuar. Opozita do bëjë protesta që të binden qytetarët shqiptarë që kjo qeveri duhet të largohet në mënyrë të menjëhershme. Sot tryeza do dalë me në projekt të qartë dhe brenda dy tre ditësh do mblidhen strukturat e partisë.
Unë besoj se brenda muajit janar, do të kemi një protestë të jashtëzakonshme. Ne duam largimin e kësaj qeverie dhe një qeveri teknike. Ne sot nuk mund të diskutojmë dhe flasim me emra të përveçëm, por jemi të gjithë bashkë për largimin e kësaj qeverie dhe krijimin e një qeverie teknike. Është e shpejtë për të folur për emra të përveçëm për një qeveri teknike sot.
Ervin Salianji është një aktivist, ish-deputet i PD dhe për asnjë moment të vetëm nuk besoj se zoti Salianji do zbehë punën e vetë. Do japë kontributin e vetë maksimal për rrëzimin e kësaj qeverie. Nuk besoj se ka një qëndrim tjetër jashtë kësaj.



