
Vendimi i Bundestagut gjerman përkitazi me hapjes së negociatave për Shqipërinë, është përshëndetur nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ndonëse ky vendim u pasua me vendosjen edhe të disa kushteve të reja.
“Dua të falenderoj Bundestagun gjerman për rezolutën e djeshme, gjë që do të thotë se Gjermania ka mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme interesat e Shqipërisë, kjo pasqyrohet qartësisht, por Gjermania ka vendosur disa kushte të tjera”, tha Kryemadhi.
Lidhur me këtë, Kryemadhi fajësoi mazhorancën për 9 kushtet e vendosura nga Gjermania, ndërsa tha se ata vështirësojnë hapjen e negociatave dhe lë në pritje Shqipërinë.
Duke folur për shansin e mundshëm të bisedimeve mes opozitës dhe kryeministrit Rama, kryetarja e LSI-së mbajti të njëjtin qëndrim me kreun e PD, Lulzim Basha, duke thënë se dialogu është bllokuar nga Edi Rama.
‘’Dekreti i presidentit i 10 qershorit ishte një mundësi që iu dha Ramës për debat. Dekreti për shtyrjen e zgjedhjeve lokale ishte që Rama të gjente zgjidhje me partitë politike. Një nga pikat e OSBE-ODIHR konstatoi se një parti u regjistrua në mënyrë të paligjshme në KQZ. Komunikimi jonë theksoi se ky dekret ishte për të shtensionuar krizën. Ajo që foli Basha sot ka ndodhur më parë. Politika është dialog, por është momentale”- u shpreh Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi se prezenca e opozitës sot në Komisionin Zgjedhor ishte për të dhënë një sinjal se opozita është solide dhe e gatshme për dialog institucional.
Më tej, numri një i LSI-së u shpreh se, “Deri më sot ne kemi dëgjuar Reforma Zgjedhore, Reforma Zgjedhore, por asnjëherë nuk kemi dëgjuar fjalën implementim, domethënë që Shqipëria bën vetëm fjalë”.



