
Partia Demokratike, dega Shkodër ka reaguar në lidhje me konstituimin e këshillit bashkiak, i cili pritet të bëhet këtë të hënë.
Në një reagim, PD në Shkodër thotë se nuk e pranojnë konstituimin e një këshilli ilegjitim e aq më pak në rektoratin e Universitetit, ndërsa bën thirrje se ditën e nesërme në orën 10:00, para Prefekturës do të organizojë një protestë paqësore për mbrojtjen e vlerave të demokracisë e të dinjitetit të qytetarëve të Shkodrës.
Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, PD thotë: “Mos luaj me zjarrin, mos luaj me Shkodrën, Shkodra do të dijë sërish t’i dalë për Zot vetes.”
“Aty ku krejt pranë, 30 vite më parë jemi mbledhur të gjithë pa asnjë ndasi politike, të majtë e të djathtë për rrëzimin e regjimit komunist. Zgjodhën të bëjnë konstituimin e këshillit ilegjitim, në vendin që ranë 4 dëshmorët e Demokracisë. Rilindasit zgjodhën ish komitetin e partisë për të konstituuar këshillin, vetëm për të provokuar qytetarët”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PD.
Aktualisht Shkodra nuk ka një kryebashkiak të zgjedhur, pasi Valdrin Pjetri dha dorëheqjen pas zbulimit nga PS të dokumenteve, që vërtetojnë se ai ishte dënuar në Itali për trafik droge.
Presidenti Ilir Meta duhet të dekretojë një datë të re zgjedhjesh, në mënyrë që Shkodra të zgjedhë një drejtues të ri.



