Partia Demokratike shprehet dhe njëherë kundër çdo marrëveshje me qeverinë, duke hedhur kështu poshtë zërat për një bashkëpunim të mundshëm deri në kapërcimin e pandemisë së koronavirusit.
Ish-deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj deklaron se kryeministri Edi Rama nuk e do bashkëpunimin me opozitën. Sipas demokratit Rama do që opozita të mos denoncojë korrupsionin që po bën kreu i qeverisë edhe tani, në kulmin e pandemisë me tenderat. “Edi Rama nuk e do bashkëpunimin me opozitën. Ai do që opozita të mos denoncojë korrupsionin që po bën ai edhe tani, në kulmin e pandemisë me tendera gjoja të klasifikuar si "sekret".
Edi Rama bën korrupsion tani, kur shqiptarët po vuajnë për bukën e gojës, kur mjekët përballen të pambrojtur, kur policët duhet të sigurojnë vetë maska e doreza. Pikërisht në këtë situatë Rama nuk heq dorë nga vjedhja dhe abuzimi”, shkruan demokrati.
Më tej, ai publikon një video me deklarata të Ramës, kundër opozitës, në disa studio televizive dhe thotë se ai do që opozita të heshtë dhe të mos flasë për testimet e munguara, për mjekët e infektuar, për fasoneritë që janë kthyer në vatra infeksioni dhe për mungesën e parave që duhet t’u shpërndaheshin qytetarëve.
“Ndaj për këte Edi Ramës i duhet që opozita të heshtë dhe të mos flasë për testimet e munguara, për mjekët e infektuar, për fasoneritë që janë kthyer në vatra infeksioni, për mungesën e parave që duhet t’u shpërndaheshin qytetarëve.
Si cdo opozitë në një vend demokratik, Lulzim Basha dëshmoi se interesi i PD ishte jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Edhe pse opozita u përball me sulme të vazhdueshme politike ajo vazhdoi të verë interesin e qytetarëve mbi cdo interes partiak”, vijon më tej Enkelejd Alibeaj, ish-deputet i PD.
“Shihni videon e mëposhtme për të kuptuar se cili ka qenë qendrimi i opozitës dhe cili i Edi Ramës gjatë kësaj kohe”, shkruan në mbyllje Alibeaj.



