
Presidentit të Republikës Ilir Meta përkitazi me mosmiratimin sot në Kuvend të projekt-rezolutës së paraqitur nga opozita për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, në reagimin e tij u shpreh tejet i zhgënjyer që maxhoranca u shpreh kundër miratimit.
Në reagimin e tij, Meta shprehu keqardhjen që deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, sipas tij, shtrembërojnë në mënyrë të pamerituar dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, të cilët janë kundër spastrimeve etnike, dhe në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Sipas kreut të shtetit, në një kohë kur në Ukrainë po zhvillohet luftë, dhe në rajonin tonë vërehen përpjekje për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë, seanca e sotme parlamentare duhej të ishte shprehur solemnitet kundër masakrës barbare.
Postimi i Ilir Metës:
Tejet zhgënjyes votimi KUNDËR i mazhorancës ndaj projekt-rezolutës së paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të serbëve të Bosnje-Hercegovinës në Srebrenicë në Korrik të 1995.
Në kushtet e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm rus kundër Ukrainës, dhe kur në rajonin tonë vërehen përpjekje të shtuara për të mohuar gjenocidin serb në Srebrenicë dhe për të glorifikuar kriminelët e luftës, seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë do të duhet të shprehte me solemnitet dhe vendosmëri të plotë vullnetin e patjetërsueshëm të popullit shqiptar kundër gjenocidit barbar, që mori jetët e 8372 njerëzve në Srebrenicë.
Jam tejet i keqardhur që deputetë të Kuvendit të Shqipërisë shtrembërojnë në mënyrë të pamerituar dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, të cilët e kanë treguar me vepra se janë kundër spastrimeve etnike, dhe në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.



